Kokaina, policët e infiltruar
futën në kurth biznesmenët

TIRANË - Biznesmenët Aleksandër Budo dhe Selaudin Bajrami, kanë rënë në çarkun e policisë, pasi dy agjentë të sektorit kundër narkotikëve janë infiltruar si persona që shfaqnin interes për blerjen e drogës. Agjentët me pseudonimin "Gerti" dhe "Tika" kanë arritur të infiltrohen brenda grupit, madje të shkojnë deri aty sa të kontaktojnë direkt me poseduesit e kokainës, duke i kërkuar Aleksandër Budos dhe Selaudin Bajramit që këta të fundit ti shisnin një sasi lëndë narkotike prej rreth gjysëm kilogrami.
Palët kanë negociuar për çmimin e kokainës, ndërkohë që nga ana tjetër dy
agjentët e policisë kanë arritur të sigurojnë euro falco për të blerë drogën. Të gjitha veprimet hetimore janë lejuar me urdhër të prokurorit, i cili ka autorizuar agjentët të mbanin në vëzhgim dhe hynin në diskutime për blerjen e drogës nga shtetasit e arrestuar. Vendimi i gjykatës së Tiranës që cakton masën e sigurisë prej 30 ditë në burg për dy personat e arrestuar, nuk tregon se nga e ka prejardhjen lënda narkotike, por sasia e drogës kishte si destinacion tregun vendas, kryesisht shpërndarjen e saj në persona VIP.

VENDIMI I PLOTË
Në vijim të proçedimit penal të vitit 2012 në ngarkim të shtetasit Aleksandër Budo dheSelaudin Bajrami, akuzuar për veprën penale të "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" të parashikuar nga neni 283/2 të Kodit Penal, nga ana e
prokurorisë është kërkuar vleftësimi si i ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimi i masës së sigurimit personal atë të "Arrestit në Burg" parashikuar nga neni 238 I Kodit të Procedurës Penale.
Mbi bazën e materialit të ardhur nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë
nga ana e Prokurorisë ka filluar procedimi penal të vitit 2012 në ngarkim të shtetasit Aleksandër Budo. Nga aktet procedues rezulton se më datë 06.03.2012 Prokurori ka autorizuar blerjen e simuluar të lëndës narkotike prej personit nën hetim duke ngarkuar dy punonjës policie nën mbulim të prezantuar me emrat "Gerti" dhe "Tika". Në kuadër të hetimit janë kryer dhe autorizuar edhe përgjime në vende publike si edhe vezhgimi I bashkëpunëtorit të të dyshuarit Selaudin Bajrami. Nga raporti i vëzhgimit të datës 08.03.2012 rezulton se rreth orës 19:15 personi nën hetim Selaudin Bajrami është takuar me bashkëpunëtorin e tij Aleksandër Budo në një lokal llotarie në rrugën e "Dibrës". Më pas ata kanë shkuar në një lokal të quajtur "Korça" në rrugën "Luigj Gurakuqi" ku personi nën hetim Aleksandër Budo i ka dhënë bashkëpunëtorit të tij Selaudin Bajrami një qese kartoni me mbishkrimin "Nokia" dhe më pas kanë shkuar në shtëpitë respektive.
Më datë 10.03.2012 rreth ores 12:00 personi nën hetim Selaudin Bajrami ka dalë nga shtëpia e tij dhe ka takuar bashkëpunëtorin Aleksandër Budo. Më pas ai është nisur për të takuar personin e prezantuar me emerin "Gerti" me qëllim shitjen e lëndës narkotike.
Në momentin që do të bëhej shkëmbimi në sheshin "Avni Rustemi" kanë ndërhyrë oficerët e policisë gjyqësore të cilët kanë sekuestruar lëndën narkotike e futur në një kuti kartoni me mbishkrimin "Nokia". Pas peshimit kjo lëndë me ngjyrë të bardhë e dyshuar si kokainë rezultonte të ishte 528.6 gramë. Më pas është ushtruar kontroll në banesën e personit nën hetim Aleksandër Budo dhe në një sobë të vjetër janë gjetur 9 qese farmaceutike të mbushur me lëndë të dyshuar si lëndë narkotike e llojit kokainë në sasinë 382 gramë. Gjithashtu brenda një kove plastike me mbishkrimin "Perfetto" kanë gjetur dy qese plasmasi e mbushur me pluhur të bardhë e dyshuar si kokainë në sasinë 620 gramë. Pas peshimit të përgjithshëm të gjithë sasisë lënda e sekuestruar është 1.5 kilogramë. Pas kryerjes së veprimeve hetimore në vendin e ngjarjes është kryer arrestimi në flagrancë të shtetasit Aleksandër Budo dhe Selaudin Bajrami për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshme se kanë konsumuar veprën penale të "Prodhimi dhe shitja e narkotikeve" të parashikuar nga neni 283/2 të Kodit Penal. Siç vërehet nga gjithë materiali proçedues i paraqitur e në veçanti ; Informacion për referimin e veprës penale, Proces verbal I kapjes në flagrance të të dyshuarve Aleksandër Budo dhe Selaudin Bajrami, Proces verbal për sekuestimin e provës materiale datë 10.03.2012, raportet e vëzhgimit të policies gjyqësore, Autorizim për blerje të simuluar, përgjimin dhe vëzhgimin në vende publike. Të analizuara veçmas e më pas në unitet me njëri-tjetrin, krijojnë dyshimin e arsyeshëm se të hetuarit janë autorë të vepres penale të mësipërme.
Nga analiza e provave të administruara në unitet me njëra tjetrën (te cituara me lart) krijohet dyshimi i arsyeshëm se shtetasi Aleksandër Budo ka kryer veprën penale të "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" të parashikuar nga neni 283/2 të Kodit Penal, për të cilat ligji parashikon një denim me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Nga shqyrtimi i akteve, Gjykata çmon se ndalimi është bërë i ligjshëm e konform neneve 251 e 252 të K.Pr.Penale.
Lidhur me caktimin e masës së sigurimit, Gjykata mban parasysh kushtet e kriteret e përgjithshme e të veçanta të parashikuara nga nenet 228, 229 e 230 te K.Pr.Penale. Në këtë kuadër pas analizës së kushtit të parë të parashikuar nga nenin 228 i Kodit të Procedures Penale "fumus commissi delicti" të dyshimit të arsyeshëm e mbeshtetur në prova për kryerjen e vepres penale nga shtetasit Aleksander Budo dhe Selaudin Bajrami, gjykata konkludon se edhe kushti I dytë i përgjithshëm të parashikuar nga ky nen për masën e sigurimit të kërkuar nga Prokuroria dhe konkretisht ate të "Arrestit ne burg" me afat 30 ditor rezulton të jetë e provuar nga materiali i depozituar në dosjen e vlerësimit të masës.
Nga kryerja e veprimeve hetimore si dhe duke parë rrezikshmerinë shoqërore veprës dhe të autorëve, përhapjen e kësaj vepre, me qëllim kryerjen e veprimeve të tjera hetimore dhe konkretisht të aktit të ekspertimit të lëndës së dyshuar si lëndë narkotike, Gjykata për të ruajtur një raport të drejtë midis tyre dhe nevojës së sigurimit si edhe në veshtrim të nenit 229 pika 1 në të cilën përcaktohet se "Në caktimin e masave të sigurimit Gjykata mban parasysh përshtatshmërinë e secilës prej tyre me shkallën e nevojave të sigurimit që duhen marrë në rastin konkret" çmon të caktojë si masë sigurimi personal për shtetasin Aleksandër Budo atë të "Arrestit në Burg me afat 30 ditor", të parashikuar nga neni 238 dhe 245/ç i Kodit të Procedurës Penale.

(aq/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Gjyqi për ‘Plumbi i artë’, dëshmia e të penduarit Dumanit: Te lokali i Qolëve vinin politikanë dhe ministra! Të pandehurit: Nuredini gënjen!

Gjyqi për ‘Plumbi i artë’, dëshmia e të penduarit Dumanit: Te lokali i Qolëve vinin politikanë dhe ministra! Të pandehurit: Nuredini gënjen!