TIRANË- 4 persona janë arrestuar në zonën e ish-bllokut në kryeqytet pasi janë kapur me kokainë, fishekë luftarakë dhe një thikë. Po ashtu janë vënë në hetim tre persona të tjerë.
Arrestimi i tyre është bërë në një lokal që ishte përshtatur për përdorimin e lëndëve narkotike. Mes të arrestuarve është pronari dhe administratori i lokalit. Të arrestuarit janë O. P., 38 vjeç, për kryerjen e veprave penale ”Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” kryer në bashkëpunim. (pronar i lokal ndodhur në zonën e ish-Bllokut), A. A., 22 vjeç, për kryerjen e veprave penale "Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” kryer në bashkëpunim (Administrator i një lokali në zonën e ish-Bllokut, A. Ll,, 30 vjeç, për kryerjen e veprës penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”. (kamarier i lokalit) dhe E. H., 31 vjeç, për kryerjen e veprës penale "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” (klient i lokalit). Ndërsa dy personat e vënë nën hetim akuzohen për kryerjen e veprës penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” dhe një shtetas tjetër për kryerjen e veprës penale ”Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve kishin marrë informacion se pronari i një lokali në zonën e ish-bllokut, shtetasi O. P. shiste lëndë narkotike Kokainë në doza të vogla klientëve të tij dhe për ushtrimin e këtij aktiviteti kriminal përdorte kamarierët dhe banakierët, të cilët mbanin kontakt të herëpashershëm me klientët e këtij lokali, për të mos rënë në sy.
Si rezultat i kontrollit të befasishëm u bë kapja në flagrancë e shtetasve të lartëpërmëndur duke tregtuar lëndë narkotike Kokainë.
Gjatë kontrollit të ushtuar, dy klientëve u është gjetur nga një dozë Kokainë. Po gjatë kontrollit në brendësi të lokalit, në pjesën e fundit të banakut, në një ambient të veçuar, me hyrje nëpërmjet banakut janë konstatuar mbetje Kokaine, e sende të tjera që shërbejnë për mbajtjen dhe përdorimin e lëndës narkotike.
Në momentin e kontrollit nga Policia, kamarieri i lokalit shtetasi A.LL ka hedhur në tokë një kuti shkrepse me katër doza kokainë, ndërsa në pjesën para banakut të lokalit është gjetur një qese brenda së ciles, ndodhet nje leje drejtimi me emrin e E. H., dhe një thikë me palosje e cila ishte hedhur në dysheme nga E.H. Gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar edhe 9 fishekë luftarak.
Të arrestuarit do akuzohen për veprat penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh kryer ne bashkepunim”, “Përshtatje e lokalit për përdorim droge”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municionit luftarak”.