“Unë e promovoj projektin e kanabisit medikal në Shqipëri për dy funksione: 1. Për të gjithë pacientët që kanë nevojë për trajtimin e sëmundjeve përmes medikamenteve që burojnë nga marijuana. Janë 170 sëmundje që mjekohen me efektivitet nga marijuana. Ka dhjetëra mijë të tillë që kanë nevoja dhe të drejta jetësore të pamohueshme që të marrin këto trajtime medikale si në të gjitha vendet e botës. 2. E promovoj si projekt për eksportet sepse është industri shumë e madhe farmaceutike në botë që bazohet tek kanabis sativa dhe kjo ekonomi e madhe është një shans për Shqipërinë, mundësi për ekonominë e Shqipërisë. Ne kemi liri për kërpin, kanabisin mashkull, dhe këtu duhet të kemi përfitim në ekonomi. Është kaq i shpejtë progresi që bëhet në ekonominë e kanabisit në botë, sa në 2020 nuk do ketë asnjë shtet në botë që nuk do e ketë legal. Kjo është një ftesë dhe vëmendje për ne që pse të mos shqyrtojmë mundësinë që të përfitojmë nga ekonomia botërore e kanabisit. Kemi rrethana favorizuese për këtë, ka kulturë bujqësore në Shqipëri për këtë çështje. Derisa e besoj këtë gjë nuk kemi ndonjë arsye që të dukemi as të guximshëm as të frikësuar, jemi me njerëzit tanë, jemi të gjithë shqiptarë, do t’i diskutojmë të gjitha”, u shpreh deputeti socialist.
Kokëdhima: Vlerësoj aksionin në lazarat, hashashi ishte ekonomi në duart e trafikantëve
I pyetur nga gazetarët nëse vendi ynë është gati për legalizimin e marijuanës dhe se cili është qëndrimi i Kokëdhimës përballë aksionit anti-kanabis që Policia e Shtetit ndërmori në fshatin e Lazaratit, Kokëdhima përgjigjet:
"Jemi vend demokratik dhe i diskutojmë me mirëkuptim të plotë të gjitha idetë dhe duhet t’i diskutojmë të gjitha idetë. Është e vërtetë që qeveria bëri punë të shkëlqyer për të eliminuar atë veprimtari kriminale që lidhej me prodhimin e hashashit, i cili në përgjithësi ishte një ekonomi në duart e trafikantëve, edhe kultivuesit përfitonin në mënyrë qesharake. Unë jam mbështetës i asaj lufte që bëri rendi jonë ku vendosëm kontrollin e plotë mbi të gjithë territorin, ishte e pakuptimtë ta kishim atë territor kur nuk mund të hynte policia. U kthyen në burgje shumë kriminelë të cilët nuk duhet të ishin të lirë. Këto aksione ishin të mirëpritura nga publiku dhe qytetarët dhe ne si deputetë".
Kokëdhima: Propozimi im është politik, ekonomia e licencuar e kanabisit
Deputeti socialist sqaroi se propozimi për legalizimin e kanabisit medikal, është politik dhe se nuk ka asnjë plan biznesi pas tij.
“Propozimi im është politik, të shikojmë mundësinë që ta zhvillojmë këtë industri. Por nuk është një plan biznesi, nuk është një projekt teknik me detaje për infrastrukturën ligjore dhe institucionale që duhet të ndërtohet. Nuk bëhet më fjalë për ekonomi kriminale, por për një ekonomi të licencuar dhe të kontrolluar nga shtetit në të gjitha hallkat e saj dhe monopol shtetërore ndaj kanabisit”, u shpreh deputeti Kokëdhima.
Kokëdhima: Të ndryshohet ligji, jo dënim i njëjtë për dikë me 3 gr hashash dhe atë me kilogramë të tëra...Pyesni Berishën pse e ashpërsoi legjislacionin
Gjatë fjalës së tij në konferencën me gazetarët, Kokëdhima bëri një tjetër propozim kur tha se duhet riparë legjislacioni që jep dënime të njëjta për dikë që kapet me 3 gramë hashash ashtu si për dike që merr “drogëra të forta” me kilogramë. Kokëdhima zgjodhi t’i kthejë përgjigje nga kjo konferencë ish-kryeministrit Berisha, i cili sipas deputetit socialist dje “braktisi” debatin me të në seancën plenare.
“Doktori na bëri një akuzë dje, iu përgjigja po nuk ju përgjigja dot tamam se ai iku. Është fjala për legjislacionin tonë penal që lidhet me marijuanën. Është legjislacioni më ekstremist në planet, më i ashpri, s’e di arsyen pse ne kemi një legjislacion kaq të ashpër, këtë e di patjetër doktori që e ka ashpërsuar, mbi të cilin jepen dënime si për atë që merr 3 gr hashash njësoj si të kishte marrë kilogramë të tërë me droga të forta. Promovimi që unë bëj është kulturor dhe politik. Eksperienca e tymosjes së kanabisit, ne nuk duhet ta promovojnë, përdorimi i drogave është implikim i rëndë për karrierën dhe shëndetin e të rinjve. Ne e dimë që eksperiencën e një të tymosuri e provojnë të gjithë të rinjtë. A është normal të dënohen nga 5 vjet burg djem e vajza të reja. Asnjëherë nuk e kam provuar as kanabisin as kumarin dhe skam ndërmend t’i provoj. Duhet të kemi një legjislacion më të arsyeshëm dhe në përputhje me tendencat e sotme, me rezultat e sotme të shkencave për ndikimin dhe rolin e marijuanës tek njeriu”, përfundoi Kokëdhima.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)