“Kokrra e plumbit në lule të ballit!” Ish-gazetari zbulon prapaskenat: Pse Nexhmija s’e donte Mehmetin pasardhës të Enverit

“Kokrra e plumbit në lule të ballit!” Ish-gazetari zbulon prapaskenat: Pse Nexhmija s’e donte Mehmetin pasardhës të Enverit

Ndërsa të tjerët mundohen të sjellin kujtime, ngjarje të jetuara, apo të dëgjuara, Agron Çobani nuk nguron të bëjë një analizë faktesh. Në librin e tij “Ju flet Tirana – RTSH, kujtime, histori, personazhe”, ish-gazetari dhe disa herë drejtori i Radio Televizionit Publik Shqiptar, na risjell ngjarje të mëdha në jetën politike dhe kulturore të vendit përpara viteve ’90. Një prej tyre është padyshim vetëvrasja e Mehmet Shehut. Çobani tenton të bëjë një analizë të të gjitha ngjarjeve që sollën vetëvrasjen e Mehmet Shehut dhe arsyet pse ky eliminim u kurdis nga Enver dhe Nexhmije Hoxha. Pse Nexhmija kërkonte me çdo kusht të eliminonte Mehmet Shehun, si pasardhës i mundshëm i Enverit pas vdekjes së tij dhe “shtrimin” e rrugës për Ramiz Alinë.

AGRON ÇOBANI

Mehmet Shehu ishte figura e dytë e padiskutueshme në skakierën politike shqiptare. Jo sepse kishte vdekur Hysni Kapo, por edhe sepse sa qe gjallë ai, në çastet kur kam qenë pranë tyre në veprimtari të ndryshme, dallohej lehtas epërsia e Mehmetit, të cilin e shprehte dhe qëndrimi i Hysniut. Këtë gjendje e dinte dhe Nexhmija. Atëherë, çfarë do të ndodhte pas vdekjes së Enverit? Mehmet Shehu me ardhjen në krye të vendit, sigurisht që nuk do ta zhdukte Nexhmijen, por nuk kishte për ta pyetur. Do t’i jepte një vilë, qoftë edhe brenda Bllokut, do t’i linte Sulon që ta ruante, do ta trajtonte si anëtare të Byrosë Politike në furnizimin me ushqime dhe vetëm kaq.

Të gjitha këto, sigurisht, nuk ishin të mjaftueshme për zonjën Hoxha. Ajo kërkonte më shumë. Ajo nuk do të ishte më, pas vdekjes së të shoqit, “mbretëreshë”. Fiqireti, gruaja e Mehmetit, ishte po ashtu anëtare e Komitetit Qendror të Partisë, deputete në Kuvendin Popullor, Drejtoreshë e Shkollës së Partisë, pra do të bëhej ajo “mbretëreshë”. Por a mund ta duronte dot këtë gjëmë Nexhmija? Atëherë si i bëhet të mos ndodhte kjo gjë? Të gjendej një tjetër zëvendësues i Enverit. Për shembull, Ramiz Alia ishte gjithashtu një figurë e rëndësishme në radhët e udhëheqjes së Partisë, në moshë relativisht të re dhe shok rinie i Nexhmijes. Ai kishte një natyrë të butë dhe nuk ishte “egërsirë” si Mehmeti. Me Mehmetin ekzistonte edhe një krushqi, vajza e vëllait të tij ishte martuar me Lilon, Ilirin, djalin e madh të Enverit dhe Nexhmijes. Së fundi, Shqipëria nuk do të kishte një “mbretëreshë”, që do t’ia hante shpirtin të vesë Hoxha. E shoqja e Ramiz Alisë, grua model nga të gjitha këndvështrimet, nuk paraqiste asnjë rrezik për “ishmbretëreshën”.

Si bijë e një familjeje të shquar intelektualësh, vajza e Aleksandër Xhuvanit, e sjellshme dhe e edukuar, e ditur dhe modeste, vazhdoi të qëndronte pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ajo ishte njeriu që pëlqente autobusin urban për të lëvizur në qytet, edhe pse ishte gruaja e një anëtari të rëndësishëm të Byrosë Politike. Në fund të fundit, mendoi Nexhmija, sipas analizës sime, nuk është mirë të na shkojë mendja në gjëra të tilla, po ajo, gruaja e Ramizit, vuan edhe nga një sëmundje e pashërueshme dhe nuk besoj ta ketë të gjatë, në këto kushte, të bëhet ç’është e mundur që të eliminohet Mehmeti dhe në vend të tij, ngadalë, ngadalë të përgatitet Ramizi. Duke diskutuar tani vonë për këtë problem me mikun tim të vjetër, Ali Xhiku, ai me të drejtë shtroi pyetjen: “Si u bë fejesa? Edhe atë Nexhmija e sajoi? Nëse jo, atëherë duhet të pranojmë se atë e pruri Zoti me porosi. Ose po të mos ishte bërë fejesa, si do të vinte halli i shpalljes së Mehmet Shehut armik, pra eliminimi i tij?

Fejesa është bërë në kushte krejt normale. Ekipi i femrave të volejbollit të Dinamos, gjatë verës stërvitej në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në plazhin e Durrësit. Vila e Mehmet Shehut ishte shumë pranë me të ashtuquajturën “Konvaleshenca”. Neli, Skënder Shehu, djali i dytë i Kryeministrit shqiptar, ardhur me pushime nga Suedia, ku studionte, gjithë ditën e ditës rrinte duke ndjekur stërvitjen e dinamoviteve, bënte plazh me to e aty pa dhe u njoh me Silvën, vajzën e profesorit të matematikës, Qazim Turdiu. Silva ishte një vajzë e brishtë, me një trup të derdhur, linjat e të cilit dilnin edhe më shumë në pah në plazh. Ajo kishte një fytyrë engjëllore dhe një edukatë prej babai profesor të vërtetë. Skënderi ra në dashuri me të. Nga ana tjetër, edhe Silva do të dashuronte natyrshëm Skënderin, një djalë burrëror, me një fytyrë përherë të qeshur dhe tepër të zgjuar, mbi të gjitha, tepër modest. Në fund të fundit për Silvën do të ishte kënaqësi të bëhej nuse në shtëpinë e Kryeministrit të vendit.

Kështu që fejesa erdhi krejt natyrshëm dhe s’kemi pse ia ngarkojmë Nexhmijes këtë barrë. Po mirë, ç’do të bëhej sikur të mos ndodhte fejesa? Atëherë Mehmeti do të zinte vendin e Enverit mbas vdekjes së këtij të fundit. Pra, nuk do të kishte arsye që Mehmeti të zhdukej e, për pasojë, vihet në pikëpyetje arsyetimi i mësipërm se Nexhmija e kishte menduar planin për natën makbethiane. Po të pranojmë arsyetimin e mësipërm, dëshirën e Nexhmijes për të mos lënë Mehmetin mëkëmbës të të shoqit, atëherë duhet të pranojmë edhe kërkimet dhe planet që ka bërë në realizimin e qëllimit final. Nuk mund të them me siguri se çdo të bënte, por “tabloja sinoptike” e Enver Hoxhës për veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut në vite, shkruar dhe bërë e njohur në rrethe të caktuara pas vetëvrasjes, na jep disa variante se si mund të vepronte Enveri për të realizuar qëllimin e Nexhmijes, në mungesë të fejesës.

Për shembull, mund të bëhej shkak lidhja e nuses së djalit të vogël të Mehmetit, Bashkimit, e cila sipas asaj sinoptike qesharake, mbante lidhje me një diplomat francez. Pse e mbante këtë lidhje, në ndihmë të kujt e mbante, kujt i shërbente? Ky mund të ishte një variant i dytë. Në shtëpinë e Mehmet Shehut na paskësh qenë montuar një radio ndërlidhjeje. Me kë bëhej lidhja? Ky mund të ishte varianti i tretë. Fiqirete Shehu kur ishte në Francë, na paska takuar një njeri me rroba të bardha, i cili i paska dhënë një pako me pilula helmi, për t’ia hedhur në kafe Enver Hoxhës e për ta helmuar atë. Ja pra, secila nga këto mundësi, edhe pse përralla me mbret, përbënin ndoshta, arsyet që do të përdoreshin kur të vinte çasti, ashtu siç u përdorën, për të eliminuar Kryeministrin. Sidoqoftë, këto janë analiza që bëj unë, pa pretenduar kurrsesi se është tamam dhe vetëm kështu. Por, në fund të fundit kanë kaluar gati 30 vjet nga ajo kohë dhe s’kemi parë të dalë në dritë ndonjë dokument, apo fakt për “poliagjentin Mehmet Shehu dhe bandën e tij”, për “lidhjet dhe komplotet e tij për përmbysjen e pushtetit të shqiptarëve, eliminimin e Enver Hoxhës dhe vendosjen e kapitalizmit”. Dy-tri ditë pas vdekjes së Mehmet Shehut, në sallën e Kuvendit Popullor na mblodhën ne, kuadrot e mesëm të Tiranës, ku dëgjuam të incizuar diskutimin në Byronë Politike rreth gabimeve të Mehmet Shehut.

Ç’të dëgjoje! Jo kritika, por sharje, fyerje, denigrime. Lenka Çuko, Simon Stefani, për çudi edhe Kadri Hazbiu. Mbledhja u zhvillua pasditen e 17 dhjetorit, vetëm disa orë para se të ndodhte vetëvrasja. Mehmeti, pasi dëgjoi të gjitha “kritikat dashamirëse dhe me frymë partie”, u mundua herë pas here të shpjegonte dhe të justifikonte akuzat në drejtim të tij. Ishte e pamundur. Akuzat vetëm shtoheshin dhe thuheshin me zë përherë e më të lartë. Më në fund Mehmeti heshti. Heshti, duke kuptuar se kishte mbaruar gjithçka. E priste i njëjti fund, tek i cili shkuan nga Enver Hoxha, por edhe nga ai, Mehmeti, pararendësit tragjikë, Bedri Spahiu, Tuk Jakova, Liri Belishova, Todi Lubonja, Fadil Paçrami, Beqir Balluku, Petrit Dume, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, etj. Tani, me sa dukej, i erdhi radha vetë atij. E duronte dot këtë fund ai, heroi legjendar i Luftës së Spanjës, siç ishte mësuar ta quanin, Komandanti i Brigadës së Parë Sulmuese, Kryeministër për 25 vjet i Shqipërisë? A mund ta duronte dot përplasjen në qeli dhe seancat e pafundme të hetuesisë, prangat e hekurta dhe shpotitë e gardianëve të burgut?

Kokrra e plumbit në lule të ballit. I përfshirë në këto arsyetime, Mehmeti vendosi të vrasë veten. Ndoshta ai akt, ka menduar, mund të shpëtojë fëmijët. E vështirë. Përvoja që kishte me shokët e tij nuk ia lëshonte këtë rreze drite, po ku ta dish? Dhe ia hoqi vetes në mesnatë, duke u gdhirë 18 dhjetori i vitit 1981. Pas kësaj nate e dite bashkë do të ndodhnin hatara të tjera me të tjerë njerëz. U arrestuan njëri pas tjetrit Fiqirete Shehu, e shoqja e Kryeministrit, Feçor Shehu, Ministër i Brendshëm, shkarkuar nga kjo detyrë pak muaj më parë, Llambi dhe Mihallaq Ziçishti, i pari Ministër i Shëndetësisë dhe i dyti Sekretar i Parë i Durrësit, Llambi Peçini, punonjës me funksion të lartë në Ministrinë e Brendshme, dy djemtë e Mehmet Shehut, pa mundur tek arrestimi i të tretit, që i dha fund jetës në qytetin e Gramshit ku e degdisën të internuar, u arrestuan dhe u internuan të tjerë deri sa erdhi radha t’i hidheshin prangat edhe Kadri Hazbiut. Parë nga larg në kohë, e gjithë kjo kasaphanë të shtyn të pyesësh: Si ishte e mundur që të ishin lidhur prej vitesh në një grup të vetëm të gjithë të sipërpërmendurit, shtohu atyre edhe puçistët në ushtri, sabotatorët në ekonomi dhe rrufjanët politikë në ideologji, art dhe kulturë, me qëllim të njëjtë, zhdukjen e Enver Hoxhës dhe përmbysjen e pushtetit të popullit dhe nuk ia arritën dot qëllimit?

Atëkohë u tha se qëllimet djallëzore të armiqve dështuan, se Partia dhe Enver Hoxha i kishin rrënjët në popull dhe mbroheshin prej tij. Viti ’90 dhe vitet e tjerë pas tij treguan se rrënjët ishin shumë të cekëta dhe rrapi madhështor u përmbys shpejt. Mirë ata nuk arritën ta bënin në vite eliminimin e Enver Hoxhës, po kur laku iu qarkua në fyt, pse nuk veproi Mehmeti kur e kuptoi, dhe besoj ta ketë kuptuar shpejt, se fundi i tij ishte i pashmangshëm? Sipas meje, nuk ndodhi asgjë, sepse nuk kishte asnjë lidhje të fshehtë dhe ogurzezë kundër Enver Hoxhës. Nga ana tjetër, Enveri, si mjeshtër që ishte në organizimin e këtyre lloj grackave, futi përçarjen; njërit i fërkonte krahët, tjetrit i përvëlonte kurrizin me kërbaç. Me Kadri Hazbiun, Enveri veproi ndryshe. Në fillim i bëri qejfin. E mbajti pranë. Në mitingun e madh që u mbajt në Tiranë pas përfundimit të punimeve të Kongresit VIII të Partisë, Kadriu u ngarkua të mbante fjalën e rastit, edhe pse mund të kishte të tjerë para tij. Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut u ngarkua përsëri Kadri Hazbiu të shkonte në Mallakastër për t’u mbushur mendjen bashkëfshatarëve të sertë se Mehmeti ishte armik.

Kadriu ishte me influencë atyre anëve, por mallakastriotët, kultivues të hershëm të ullirit, nuk e hëngrën atë kokërr me bërthamë. Enveri i mbajti pranë Kadriun deri në shtator të vitit 1982, kur në Festën e Pezës, në mitingun që u organizua, nuk iu përmend emri si pjesëmarrës, deri sa në një nga Plenumet e Komitetit Qendror të Partisë, Enver Hoxha, duke dredhur zinxhirin që mbante në dorë tha: “Do jap urdhër të të arrestojnë”. Dhe Kadriu iu përgjigj flakë për flakë: “Dakord, shoku Enver, Partia ime do të më arrestojë!” Dhe Enveri e mbajti fjalën. Vite më vonë u tha se Kadriu kishte qenë natën e vetëvrasjes në shtëpinë e Mehmetit. Edhe unë kam një burim konfidencial se Kadriu kishte qenë. Se ç’është biseduar, nuk dihet. Enveri thotë se Mehmetit i është transmetuar urdhri nga larg e nga larg, me demek nga imperialisto-revizionistët se grupi dhe qëllimi i tij ishte zbuluar, prandaj ai, Mehmeti, duhej të vriste veten! Idiotizëm me brirë! Pse të vriste veten?

Logjika ta do që urdhri, në qoftë se do të kishte një të tillë, të ishte pak a shumë kështu: U zbulove, s’kemi ç’presim më, elimino Enver Hoxhën. Në qoftë se Kadriu kishte qenë me të vërtetë atë natë në shtëpinë e Mehmetit, nuk është çudi t’i ketë propozuar vetëvrasjen. Por kjo mund të ketë qenë porosia e Enverit, të cilit i interesonte vetasgjësimi dhe vetëmënjanimi i Mehmet Shehut. Ndryshe si mund të shpjegohet gjithë ai vrer i Mehmetit ndaj Kadriut në letrën e fundit, ku e quan “Jago me shpirt të zi si fytyra e tij”, etj. Sidoqoftë, sa kam treguar, e përsëris, janë analiza të mia personale, ngaqë kam qenë disi afër ngjarjeve dhe kam pasur mundësi t’i bluaj në mendje gjatë vetmisë sime, gati dhjetëvjeçare, 1982-1990, kur kam qenë mësues në Krastë të Martaneshit, Fushë-Krujë dhe Nikël. Kalova vite të vështira, por fatmirësisht mes njerëzve të mirë, mes ngrohtësisë së tyre, ndërsa acari i dimrit dhe dëbora qëndronin gjatë atyre netëve.

Dielli sa lindte, kur lindte, perëndonte. Krasta, qyteti i minatorëve, ishte ngritur mes një lugine të ngushtë mes malesh. Krahasuar me një burg të mundshëm, ishte shumë më lehtë. Po pse burg? E pse jo? Atë kohë, pa u larguar ende nga Tirana, kur dëgjoja për arrestimin e njërit apo tjetrit, më shkonte mendja për vete. Përralla e pilulave që Fiqirete Shehu mori në Francë për të helmuar Enver Hoxhën përputhet me kohën kur isha në Paris. Isha së bashku me Mira Blushin dhe Jeta Tafajn. Kishim shkuar për të marrë pjesë në Panairin Televiziv që zhvillohej në Kanë. Në një nga apartamentet ku rrinin zakonisht figurat qendrore të Partisë, kur shkonin për probleme shëndetësore, ndodhej Fiqireti. Unë shkova për një vizitë dhe pimë kafe bashkë. Ku ta dish, mund t’i shkonte mendja dikujt dhe të thoshte: Arrestojeni edhe atë! Madje është thënë, por unë nuk e kam dëgjuar. Kam kaluar shumë ditë dhe net të tmerrshme nën trysninë e arrestimit të mundshëm. Në një nga ditët e tetorit të vitit 1982, kur isha larguar nga televizioni, por jo nga Tirana, punoja ende në Kinostudio, po bëhej gati arrestimi i Kadri Hazbiut. Unë banoja shumë afër shtëpisë së Kadriut, pothuaj ballë për ballë, na ndante vetëm rruga.

Para dritares së shtëpisë sime u vendosën shumë civilë, me kostum gri, që dalloheshin ashiqare që ishin punonjës të Ministrisë së Brendshme. Edhe pse e kuptoja që bëhej fjalë për Kadri Hazbiun, hajde mbushi mendjen gjelit se nuk është kokërr misri…. Mehmet Shehu dhe “grupi i tij” ishin të fundit të eliminuar nga Enver Hoxha. Patën këmbën e mbarë! Nuk lanë vend dhe kohë që Enveri të vazhdonte me të tjerë. Ishte në praktikën e sistemit që të hartoheshin plane 5- vjeçare të zhvillimit ekonomik dhe po kaq vjet që të zbulohej dhe të asgjësohej një “grup armiqësor”.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?