TIRANË - “Ne jetojmë në një qytet ku nuk kemi një qendër kulturore, në një qytet ku nuk krijohen hapësira për të rinjtë”. Deklarata është bërë në studion e A1 Report nga Drejtori i Rinisë në Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Leart Kola. Sipas tij, “universitet janë kthyer në ambiente për të shtyrë kohën”.

Për Kolën, sot politika nuk i di propozimet e rinisë për politikën, por vetëm ato të politikës për rininë. “Politikanë të ndryshëm thjeshtë formulojnë fjali, por thelb janë boshe. Rinia sot është thjeshte koncept statistikor.  Ne nuk kemi një rini apatike.

Rinia është aktive në kontekstin e fushatave. Mendoj që të rinjtë në Shqipëri merren me politikë, por nuk e prodhojnë politikën, më shumë pësojnë politikat që bëjnë të tjerët. Shumica e të papunëve shumica janë të rinj”, tha Kola në studion e A1Report përballë gazetares, Mirjeta Ngjela.

Sipas tij, rinia duhet të fillojë një fazë punësimi, “pasi qeveria që ka marrë mandatin e ka si premtim punësimin e rinisë”. Sipas drejtorit të rinisë në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Leart Kola, duhen krijuar disa territore ku rinia të ketë mundësi të shprehet.

“Ne nuk kemi parë të promovohen shembujt interesantë. Heronjtë e ditës janë disa persona që kanë arritur suksese në rrugë të gabuar e jo ata që dalin të parët, në mësime, arte, muzikë, etj”, tha Kola në studion e A1 Report.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)