Një muaj pasi vendosi mos pranim rekursi për dosjen “21 Janari”, 5 anëtarët e kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë zbardhin vendimin që refuzoi të rihapë procesin ku humbën jetën 4 protestues të pafajshëm.

Në këtë dosje ishin të pandehur gardistët Ndrea Prendi, Agim LLupo dhe Margarit Kume, por në 14 faqe vendim të zbardhur dhe ende të pa hedhur në faqen zyrtare të gjykatës, argumentohet me të vetmen fjali “Mos pranim rekursi”.

Në këtë konluzion kanë arritur anëtarët e Kolegjit Penal, të përbërë nga trupa e gjyqtarëve Edmond Islamaj, Artan Zeneli, Aleksandër Muskaj, Guxim Zenelaj dhe Shkëlzen Selimi.

Kolegji thotë se pasi dëgjoi relacionin përkatës dhe pasi e bisedoi çështjen në tërësi vendosi: “Mospranimin e rekursit të paraqitur nga Prokuroria e Apelit Tiranë dhe të gjykuarit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, nëpërmjet avokatëve të tyre mbrojtës, kundër vendimit nr. 793, datë 18.09.2013, të Gjykatës së Apelit Tiranë”. 

Gjykata e Lartë përmend faktin se Prendi u shpall së pari i pafajshëm për “vrasje me dashje” nga Shkalla e Parë për akuzën e vrasjes së demonstruesit Faik Myrtaj, sikurse edhe Agim Llupos për vrasjen e Ziver Veizit. 

Kolegji radhit më tej kronologjinë duke kujtuar se si të dy zyrtarët e Gardës u dënuan peë “vrasje me dashje nga pakujdesia”, duke marrë Prendi 1 vit burgim dhe Llupo 3 vjet burgim. 

Në rekursin e saj për Ndrea Prendin, thotë Gjykata e Lartë, prokuroria kërkon dënimin e tij për vrasje pasi plumbi i gjetur në trupin e viktimës ka dalë nga pistoleta e tij dhe dashja për krimin njihet sipas prokurorisë në doktrinë, përsa kohë Prendi ishte i vetëdijshëm për veprimet që po kryente dhe rrezikshmërinë e këtyre veprimeve. 

Por gjykata shton më tej edhe qëndrimin e të akuzuarit Prendi, i cili nga ana e tij ka kërkuar pafajësinë. Sipas Prendit, thotë Gjykata e Lartë, ai nuk ka patur asnjë njohje me viktimën e aq më tepër që ai nuk kishte dijeni se ku ndodhej viktima në momentin që e qëlloi.

Për të arritur në këtë përfundim duke mos pranuar rekursin e Prokurorisë që kërkoi dënimin e gardistëve, Kolegjit Penal ju deshën 3 vite, ndërsa ende nuk dihet nëse pas këtij vendimi familjarët do t'i drejtohen apo jo Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Në 21 janar të vitit 2011, në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" u qëlluan për vdekje 4 protestues të opozitës, ndërsa 100 të tjerë mbetën të plagosur. Edhe pse kanë kaluar 6 vite nga ajo ditë, drejtësia shqiptare dështoi në ndëshkimin e përgjegjësve të asaj ngjarje tragjike. Dhe njëkohësisht ka dhënë shembullin më të keq e njëherazi precedentin më të rrezikshëm në kuadrin e pandëshkueshmërisë për jetët njerëzore që ranë pre e plumbave të gardistëve. 

Rrugëtimi i dosjes “21 janari”
Më 30 Prill 2012 prokuroria do t’i drejtohej gjykatës së Tiranës me tre të pandehur mes tyre Ndrea Prendi, Agim Llupa e Margarit Kume.

23 vite dënim akuza kërkoi asokohe për Prendin, 25 vite për Llupon dhe heqje dorë nga akuza për Margarit Kume për veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës.
Pas 41 seancave trupa gjyqësore kryesuar nga gjykatësi Besnik Hoxha vendosi më 7 shkurt 2013 deklarimin e pafajshëm të tre ish gardistëve duke hequr ndaj tyre dhe masat e sigurisë arrest me burg, arrest shtëpie e detyrim paraqitje.

Por ky vendim u apelua dhe më 18 shtator gjykata e apelit prishi pafajësinë duke dënuar me 1 vit burg Ndrea Prendin dhe 3 vite Agim Llupon.

Më këto dënime s’u pajtua prokuroria e cila më 10 tetor depozitoi rekurs në gjykatën e larë. Ky rekurs më 28 tetor 2013 kaloi për studim çështje me relator Edmond Islamaj dhe pas afro 3 viteve vendimi u zbardh dhe është mos pranim rekursi.

Me këtë vendim e cila ishte hallka e fundit që prokuroria mund të apelonte pretendimet e saj, Dosja 21 Janari quhet e mbyllur dhe mund të ndiqet në gjykatën e Strasburgut vetëm nga familjarët apo personat e dëmtuar.

firmat kolegji penal 21 janari

PDF/Ja vendimi i plotë i Kolegjit Penal për 21 Janarin

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com