Kolegji rrëzon rinumërimin për
qarkun e Lezhës nga KQZ

Kolegji rrëzon rinumërimin për<br />qarkun e Lezhës nga KQZ
TIRANE - Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar vendimin e KQZ-së për rinumërimin e votave në qarkun e Lezhës duke pranuar kërkesën e paraqitur nga Partia Socialiste për pavlefshmëri të këtij procesi, pasi KQZ-ja prej katër anëtarësh tashmë, nuk ka kuorumin e duhur për të marrë vendim.  Kuorumi i kërkuar është 5 veta, që KQZ-ja nuk i ka pas dorëheqjes së tre komisionerëve të majtë. PS-ja tashmë është në pritje të zbardhjes së vendimit, që do të hedhë poshtë rinumërimin për qarkun e Lezhës, tashmë të përfunduar dhe beson se automatikisht, ky vendim do të jetë i vlefshëm edhe për qarkun e Shkodrës, ku rinumërimi është në proces.
 
Përfaqësuesi ligjor i PS-së, Koli Bele, sapo u njoh me këtë vendim të Kolegjit, deklaroi për mediat:
 
“Kolegji Zgjedhor, në ndryshim nga KQZ-ja, e lexoi ligjin siç qe ka shkruar ligjvënësi. Ky vendim ka efekt automatik edhe për qarkun e Shkodrës. Vendimet e KQZ-së kanë qënë haptas në kundërshtim me ligjin dhe nuk ka nevojë për stërhollime për të kuptuar që një mbledhje që u urdhërua politikisht e ka futur në këtë fazë procesin, në një qorrsokak, që për fat të mirë Kolegji e zgjidhi.
 
KQZ-ja nuk kishte tagër ta iniconte këtë proces dhe pa hyrë tek pjesa e Shkodrës, që ka dhe probleme të tjera, u nis një proces që askush s’e kish kërkuar. Shqyrtimi dhe hetimi në mungesë të kuorimit ishte veprim dukshëm në kundërshtim të ligjit.
 
Janë disa afate që duhen respektuar në mënyrë që votimi plebishitar për mazhorancën të finalizohet me ndarjen e mandateve. Do ishte përetej absurdit nëse KQZ-ja do ta vazhdonte numërimin.
 
PS ka bërë dhe një ankimim në Kolegj për përfundimin e afatit 10-ditor për shqyrtimin e qarkut të Shkodrës dhe pavarësisht sesi do vazhdonte procesi, kërkesa e PR-së ishte regjistruar në 10 korrik, pra ishte dy ditë pas afatit. Ne kemi bindjen se vendimi i Kolegjit do sjellë normalitetin. Tashmë ne duhet të presim zbardhjen e vendimit, pasi jemi njohur me pranimin e kërkesë- padisë që PS-ja paraqiti dhe shpresojmë që KQZ-ja tani do zbatojë ligjin,”- përfundoi Bele.

BYLYKBASHI: VENDIMI I KOLEGJIT ZGJEDHOR MINON PROCESIN E ANKIMIMIT
Nënsekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka reaguar pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, për të shpallur të pavlefshëm rinumërimin e votave për Qarkun e Lezhës.

“Vendimi shkakton handikap të madh. Kolegji Zgjedhor pranon kërkesën e PS për Lezhën, por ky vendim minon procesin e ankimimit, pasi i heq të drejtën partive të mëdha dhe të vogla të kërkojnë zgjidhje të problemeve të tyre në KQZ. Anullon mundësitë e çdo pale, ankimore që në kushtet e një bojkoti politik nga minoranca bën të jetë e pamundur që të bëjë një kërkesë dhe ajo të marrë zgjidhje nga KQZ. Lidhur me këtë duhet të reagojnë legjislatorët dhe t’i jepet zgjidhje këtij handikapi”, tha Bylykbashi.

Ndërsa lidhur me rezultatin e rinumërimit të votave për Qarkun e Lezhës, shtoi se “Në sytë e të gjtihë shqiptarëve është një vjedhje e hapur nga PS me 1200 vota, PD-së i është vledhur një mandat. Ky vendim ka anulluar një kapitull të tërë të Kodit Zgjedhor. Po ky Kolegj Zgjedhor do të duhet të shqyrtojë çfarë është bërë sot. Ne të gjithë e dimë, ujku ishte aty, dhe është e kotë të kërohen gjurmë të tjera.Askush nuk mund të errësojë atë vjedhje që doli në dritë të diellit”.

Për rinumërimin e votave të Qarkut Shkodër, Bylykbashi tha se në KOlegjin Zgjedhor po hidhet shorti, dhe trupi zgjedhor do të shqyrtojë atë si një çështje më vete.

SALIANJI: KOLEGJI DHA VENDIM TE DREJTE, E SHPALLI TE PALIGJSHME MASKARADEN QE KA NDODHUR NE KQZ
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Eridian Salianji e ka cilësuar të drejtë vendimin e Kolegjit Zgjedhor, për shpalljen të pavlefshëm të procesit të rinumërimit të votave për qarkun e Lezhës. Salianji tha se tashmë procesi futet në një procedurë të rregullt zgjedhore, duke theksuar rëndësinë e ndërprerjes së procesit të rinumërimit për qarkun tjetër, atë të Shkodrës, pasi po shkatërrohet procesi dhe kjo përbën një vepër penale.

“Kolegji Zgjedhor e lexoi drejt ligjin dhe dha një vendim të ligjshëm duke e shpallur të paligjshme këtë maskaradë që ka ndodhur në KQZ. E futi procesin zgjedhor në një procedurë të rregullt ligjore. Për shkak të mungesës së kuorumit nuk mund të vijohet më ky proces. Përsa i përket vendimit të Kolegjit Zgjedhor, konstatoi të pavlefshme këtë procedurë. Kjo do të thotë se KQZ si organ administrativ duhet të unifikojë praktikën e vet më atë të Kolegjit. Shpresojmë që të mos vazhdojnë veprimet e rinumërimit, pasi po e shkatërrojnë procesin dhe kjo është njnë vepër penale”, tha Salianji për TV “A1 Report”.

Përfaqësuesi ligjor i PS në KQZ u ndal tek paraqitja e ankimimit të kësaj force politike në Kolegjin Zgjedhor, ndërsa shtoi se PS do të vijojë me procesin ankimor.

“Bërja pis e procesit nuk është vetëm në fazën e numërimit, por edhe në këtë fazë që jemi ne, dhe kjo gjë e fut procesin në një rrugë pa krye. Ne thjesht ishim shumë të qartë në Kolegjin Zgjedhor, lexuar ligjin, parashtruam pikat ku po shkelet ky ligj, pasi mungon kuorumi u nevojshëm për të votuar. Dhe Kolegji mori vendimin e duhur, për të kthyer procesin në rrugën e drejtë. Nuk ishte rruga e përdorjes së KQZ-së për të zgjidhur problemin. Procesi ankimor do vazhdojë më tej, nga PS. Edhe PD po kështu mund t’i drejtohet Kolegjit Zgjedhor për kërkësat që ka”, u shpreh Salianji.

MADHI: NUK KANE AQ RENDESI MANDATET SESA TRANSPARENCA

Përfaqësuesi ligjor i PR-së, Arjan Madhi tha për "A1Report!" se "unë e kam vështirë të komentoj vendimin e Kolegjit Zgjedhor, për të cilin mësova nga kolegu i PS-së. Ajo që vlen është se vendimi i tij i adresohet një objekti të caktuar, një qarku të caktuar dhe ai nuk mund të shtrihet edhe mbi qarkun e Shkodrës për të cilin nuk është shprehur. Pra, ne mund të vazhdojmë punën.
 
Unë nuk gjykoj se interesi i publikut është sesi do përkthehen mandatet, por sa i rregullt është procesi. Ne kishim prova se procesi kishte degjeneruar. U konfirmua bindja jonë se nga 79 qendra, në 78 rezultuan lëvizje votash nga një subjekt në tjetrin. Pavarësisht sesa kjo ndikon në një mandat, ne duhet të bëjmë transparencën dhe të identifikojmë ata që masakrojnë procesin. Duke pasur parasysh parregullsitë, PR-ja ka bindjen se mandati i takon asaj,"- përfundoi ai.
 
ORA 14:30 KOLEGJI ZGJEDHOR SHQYRTON ANKESEN E PS PER PAVLEFSHMERINE E NUMERIMIT
Kolegji Zgjedhor nis shqyrtimin e kërkesës së Partisë Socialiste për shpalljen e pavlefshme të procesit të rinumërimit të votave të zgjedhjeve të 23 qershorit në qarkun Lezhë e Shkodër. Kërkesa e PS-së u përgatit nga Koli Bele dhe u dorëzua në Kolegj të shtunën e 20 korrikut.   

Në seancën e sotme janë të pranishëm Koli Bele dhe Eridian Saljani, nga PS dhe Ivi Kaso dhe Oerd Bylykbashi, nga PD. Nga LSI nuk ka përfaqësues ligjor. Bele i tha gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor se "vendimi i KQZ për rinumërim i paligjshëm, s’ka kuorum". Seanca vazhdon.

Në kërkesën e PS-së thuhet “PS kërkon që Kolegji Zgjedhor të: të konstatojë pavlefshmërinë e vendimeve objekt ankimi të urdhërojë ndërprerjen e veprimeve të mëtejshme të KQZ për shqyrtimin e kësaj çështje (për hapje kutish votimi,rinumërim e rivlerësim të fletëve të votimit si dhe marrjen/administrim të provave etj”.

Kolegji do të shqyrtojë dhe ankimimin e LSI ndaj KQZ për mos lejimin e rinumërimit në 15 Qendrat e Votimit në Kukës.

Redaksia online
(e.s/ar.sh/s.g/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Muzeu Etnografik i Krujës hap dyert pas restaurimit, digjitalizim e ekspozita të reja për artefaktet! Financim i BE

Muzeu Etnografik i Krujës hap dyert pas restaurimit, digjitalizim e ekspozita të reja për artefaktet! Financim i BE