Kandidatët po zhvillojnë një fushatë të qetë duke pasur secili takime dhe lobime në të gjithë territorin e bashkisë. Mjeku Ilia Stefo kandidon në emër të mazhorancës përballë Dritan Hajros, një ish-socialist.
Kandidati i majtë, Stefo, thotë në një intervistë për Shqiptarja.com se nuk e njeh personalisht rivalin dhe se nuk do të paragjykojë njeri në garën e tij. I sigurt për fitoren, ai thotë se nuk do të humbë, pasi asnjë mjeku nuk i lejohet të humbasë në profesionin e tij.
Ilia Stefo sqaron se edhe pse nuk është një anëtar i PS-së, ai s’do të kishte zgjedhur asnjë parti tjetër për të kandiduar. Mirënjohës Ramës për kandidimin, dhe besimplotë se Niko Peleshi do ta mbështesë në projektet e tij, Ilia Stefo rrëfen programin elektoral.
Z. Stefo, ju tashmë jeni në garë për kryetar bashkie në Kolonjë. Pse një mjek karriere si ju joshet nga politika?
Më tepër sesa joshje nga politika, jam i joshur nga mundësia për të vazhduar tu shërbej njerëzve. Ka një të përbashkët të madhe mes këtyre dy punëve: është mundësia për të qenë pranë problemeve të tyre dhe për t’i zgjidhur ato. Shërbimi për njerëzit më jep kënaqësi. Puna dhe kontributi për vendlindjen është edhe një detyrim e përgjegjësi.
Kush ju propozoi për të kandiduar për kreun e Bashkisë Kolonjë?
Unë i jam mirënjohës drejtuesve të PS dhe anëtarësisë së saj që më propozuan, ndonëse unë nuk kam qenë anëtar i strukturave të partisë. Ky vlerësim më ka prekur dhe më ka rritur përgjegjësinë për të justifikuar besimin e dhënë me punë të palodhur. Miqtë, kolegët, qytetarët e thjeshtë të Kolonjës, me dhe pa parti, me përkatësi të majtë apo të djathtë, që më kanë inkurajuar dhe nxitur t’i përgjigjem pozitivisht propozimit, i falënderoj dhe ju jam mirënjohës.
Nëse do t’ju kishte kërkuar PD-ja të kandidonit, do ta pranonit?
Unë kam ndjekur vazhdimisht me interes politikën në vend. Si qytetar dhe intelektual kam mbështetur reformat transformuese të qeverisë. Reforma territoriale-administrative dhe programi i Rilindjes Urbane i kanë dhënë impuls zhvillimit lokal. Për shumë vite në qytetet dhe fshatrat shqiptare nuk ndodhte asgjë.
Është e pafalshme që pas 25 vjetësh çështje bazike si uji i pijshëm, kanalizimet, uji për bujqësinë, menaxhimi i mbetjeve, rrugët e aksesit etj., janë ende të pa zgjidhura. Për ato që nuk kanë ndodhur për vite me radhë gjatë qeverisjes së PD-së dhe për punën transformuese të filluar me sukses nga PS dhe koalicioni qeverisës, unë nuk mund të bëja zgjedhje tjetër veç Partisë Socialiste.
Natyrisht, sigla e partisë që unë përfaqësoj nuk do të më pengojë të shërbej njëlloj e me të njëjtin përkushtim për të gjithë qytetarët, të çdo krahu politik, sepse Kolonja është e të gjithë kolonjarëve.
Është pikërisht ambicia ime dhe e gjithë banorëve të saj për një Kolonjë me qytete më miqësore me njerëzit, me hapësira publike ku fëmijët, të rinjtë, të moshuarit, të gjejnë veten e tyre, me fshatra që përmes punës, kapërcejnë varfërinë dhe jetojnë me dinjitet dhe për një Bashki plot projekte zhvillimi që gjenerojnë punësim, ekonomi lokale, mirëqenie dhe të ardhme për banorët.
Si e vlerësoni rivalin tuaj, Dritan Hajro?
Nuk kam një njohje të afërt me kandidatin, por dua të theksoj se në këto zgjedhje, unë shoh përballë problemet dhe hallet e banoreve të Ersekës, Leskovikut dhe gjithë kolonjareve. Kjo është sfida ime, kjo është beteja ime, ajo që unë dua ta fitoj.
A përbën problem për garën tuaj fakti që keni përballë vëllain e një ish-deputeti socialist?
Unë i vlerësoj njerëzit nga personaliteti vetjak ndaj nuk dua të spekuloj. Jam i bindur që qytetarët e Kolonjës do të dinë të bëjnë dallimin.
Kush po e drejton fushatën tuaj elektorale?
Në fushatën time janë angazhuar qindra të rinj e të reja, banore të Ersekës, Leskovikut dhe gjithë fshatrave të Kolonjës. Kjo është forca ime më e madhe, e kësaj dua t’i shtoj zotimin e zëvendës kryeministrit Peleshi për të qenë pranë gjatë fushatës dhe gjatë drejtimit të bashkisë. Mbështetja e tij dhe e kryeministrit Rama, më bëjnë të jem besimplotë se punët e mira që janë nisur dhe ato që do të nisin në këtë bashki, do të ecin përpara me një shpejtësi akoma më të madhe.
A keni filluar të formësoni premtimet tuaja elektorale? Cilat janë ato, nëse i keni?
Gjatë këtyre ditëve kam pasur mundësi të takoj shumë njerëz dhe të njihem me problemet dhe nevojat e tyre. Padyshim që të gjitha projektet që kanë nisur do të përfundojnë me një ritëm akoma më të shpejtë në këtë bashki. Tashmë, në Ersekë kemi një model të mirë punësh siç është ajo e qendrës së qytetit të Ersekës, e cila do të shtrihet edhe në rrugët hyrëse të qytetit. Projekti i hyrjes dhe qendrës së Leskovikut tashmë është gati bashkë me garancinë e qeverisë shqiptare për mbulimin nga ana financiare të kësaj ndërhyrjeje. Ujësjellësi i Ersekës është një tjetër punë e cila do të ketë prioritetin tim maksimal. Për sa i përket infrastrukturës arsimore, në qytetin e Leskovikut do të ndërhyjmë në rehabilitimin e shkollës së mesme të përgjithshme “Jani Vreto” në Leskovik, shkollë e cila përveç ambienteve të mësimdhënies, do të ketë edhe palestrën dhe ambiente të tjera në shërbim të nxënësve dhe komunitetit.
Erseka, Leskoviku dhe gjithë fshatrat e Kolonjës janë një mrekulli nga ana turistike, natyra, ushqimi dhe njerëzit e bëjnë këtë zonë një destinacion me potencial të lartë turistik. Vëmendje të veçantë do të ketë përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe ndriçimit nëpër fshatra për ta orientuar zhvillimin e tyre edhe drejt turizmit.
Do të shohim një fushatë agresive debati dhe kundër akuzash në Kolonjë?
Njerëzit këtu në Kolonjë kanë disa vlera të cilat janë të rrënjosura në kulturën tonë, shpesh herë ato dalin edhe mbi politikën. Do të shohim një fushatë e cila i dedikohet tërësisht njerëzve, banorëve të Ersekës, Leskovikut dhe fshatrave të Kolonjës.
Nuk shikoj, të paktën nga ana ime, asnjë arsye për një fushatë agresive. Kolonjarët më njohin shumë mirë dhe e di që nga unë presin sa më tepër punë dhe sa më pak fjalë dhe debate që shpërqendrojnë vëmendjen nga problemet e tyre.
Do ta njihni rezultatin në rast se humbni?
Në këtë fushatë nuk kam menduar asnjë ditë për humbjen. Mbase ka të bëjë me profesionin tim që nuk më lejon të mendoj humbjen, por vetëm fitoren. Unë besoj, në fakt, që nuk do të jetë fitorja ime, por e gjithë mbështetësve të mi dhe e Kolonjës së bukur.
Humbja
“Në këtë fushatë nuk kam menduar asnjë ditë për humbjen. Mbase ka të bëjë me profesionin tim që nuk më lejon të mendoj humbjen, por vetëm fitoren”.
Rivalit
“Unë i vlerësoj njerëzit nga personaliteti vetjak ndaj nuk dua të spekuloj. Jam i bindur që qytetarët e Kolonjës do të dinë të bëjnë dallimin”.
Motivimi
“Ka një të përbashkët të madhe mes këtyre dy punëve: është mundësia për të qenë pranë problemeve të tyre dhe për t’i zgjidhur ato. Shërbimi për njerëzit më jep kënaqësi”.
d.b/shqiptarja.com