Report Tv bisedoi me prindërit e një 35-vjeçari Gentjan Ihsa nga Kolonja që ndërroi jetë krejt papritur pasi piu disa qetësues për dhimbjen e dhëmballës. Ata kërkojnë që drejtësia të vihet në vend, dhe autoritetet të zbulojnë përmes autopsisë shkaqet e vdekjes.

Shege Ihsa e gjejmë të tronditur. Akoma nuk e beson se djali i saj që nuk kishte pasur kurrë probleme shëndetësore, të humbiste jetën krejt papritur në moshën 35-vjeçare.

Djali kishte shkuar në punë si zakonisht, dhe ishte ndalur në Ersekë për një vizitë tek dentisti pasi kishte dhimbje dhe ënjtje në fytyrë nga dhëmballa. Sipas prindërve, Gentjan Ihsa, kishte pirë një ilaç në formë pluhuri dhe kur u kthye në shtëpi ishte i djersitur. Me recetë nga stomatologu kishte marrë edhe disa kokrra të tjera qetësuese të cilat i piu në banesë.

“Kur erdha unë nga lopët që ishte ora 15 e 30 ,16:00 djali po rrinte në ballkon dhe më foli, hë me mami mbarove andej, mbarove me lopën? Sa hoqa çorapet i hodha dhe bukë qenit, as 5 minuta nuk qëndrova jashtë, kur hyra në kuzhinë unë djali ishte shtrirë aty. Thirr o Genti o Genti e fërkova nga duart, ishte bërë akull djali nga duar,as mu përgjigj asgjë”, tha nëna e 35-vjeçarit.

Fqinjët e morën me makinë derisa rrugës e dorëzuan në automjetin e ambulancës që kishin njoftuar në telefon për ta dërguar në Ersekë.  Fillimisht policia njoftoi se djali ndërroi jetë në banesë duke mos pasur mundësi të arrijë me shenja jetë në spital, megjithatë, ky element është ende i paqartë. 

Të lënduar dhe pa forcë as për të nxjerrë lot për humbjen e madhe, prindërit nuk guxojnë të vënë gishtin tek ilaçet që piu djali, por presin që me kryerjen e ekspertizës mjekësore e vërteta të dalë në dritë. Pas kësaj përgjigjeje pritet të shihet nëse faji do të gjendet ose jo tek dentisti që ka vizituar djalin dhe receta që ai i ka dhënë

1671872860_finalprojekt.00120409.Still004.jpg

Viktima Gentjan Ihsa