/ATSH/.- Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Francesco Paolo Figliuolo, u takua me ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, shkëlqesinë e tij Robert E. Bosch, në kampin "Film City" Shtabin e përgjithshëm të KFOR-it e NATO-s në Prishtinë.

Gjatë takimit ata biseduan për situatën e përgjithshme në Kosovë dhe bashkëpunimin efektiv ndërmjet KFOR-it, bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve vendore.
Gjenerali Figliuolo dhe ambasadori Bosch u pajtuan mbi rëndësinë e rolit të KFOR-it për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, duke siguruar kushtet për zhvillim social dhe ekonomik në këtë rajon.

KFOR në njoftimin e dërguar sot thekson se takimi me ambasadorin holandez është pjesë e takimeve të rregullta me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit, për një qasje gjithëpërfshirëse në gjithë dinamikën e rajonit.

Forcat e armatosura holandeze janë të pranishme në Kosovë që nga viti 1999 kur kontigjenti i parë holandez u vendos si pjesë e misionit të KFOR-it. Aktualisht, personeli i forcave të armatosura holandeze është pjesë e Stafit në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it në kampin "Film City".