PRISHTINË, 15 Nëntor/ATSH/- Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajor Francesco Paolo Figliuolo, takoi Ministrin e Mbrojtjes së Hungarisë, Csaba Hende në kampin "Film City", Shtabi i Përgjithshëm i NATO KFOR-it në Prishtinë.
Gjatë vizitës zyrtare ata diskutuan gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe rëndësinë e rolit të KFOR-it për stabilitetin, si reagues i tretë, në përkrahje të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe të gjitha organizatave tjera vendore dhe ndërkombëtare.
Gjenerali Figliuolo falënderoi Hende për bashkëpunim të çmueshëm të ushtarakëve hungarez dhe për kontributin dhe profesionalizimin e tyre shembullor në Kosovë. Hende siguroi Gjeneralin Figliuolo se Hungaria do të vazhdojë përkrahjen e KFOR-it në të ardhmen.Gjatë qëndrimit të tij, Ministri Hungarez i Mbrojtjes vizitoi bazën e KFOR-it për manovra taktike (KTM) në Prishtinë, ku takoi komandantin e KTM-së dhe pjesëtarët e kontigjentit hungarez, që është pjesë e kësaj njësie të KFOR-it.
Dje Hende kishte vizituar kampin "Marshal de Lattre de Tassigny" në Vushtrri dhe kampin "Nothing Hill" në Leposaviq, ku kishte takuar trupat hungareze të stacionuara në këto kampe të KFOR-it.
Tani Hungaria është një nga shtetet me kontributin më të madh me ushtarakë në KFOR dhe ka shtuar praninë e saj për 310 ushtarë, të cilët janë pjesë e shtabit të përgjithshëm të KFOR-it, Batalionit KTM dhe Grupit Shumëkombësh Luftues Lindje./b.j//m.m/







