Komandanti i KFOR-it kërkon dialog për veriun e Kosovës: Të shmanget shfaqja e forcës dhe e provokimeve

Komandanti i KFOR-it kërkon dialog për veriun e Kosovës: Të shmanget shfaqja e forcës dhe e provokimeve

KFOR, Kosovë

Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia vazhdon të sugjerojnë frymën e dialogut, si forma e duhur për të zbutur tensionet në veri të Kosovës, duke thënë se kontakti do të jetë i vazhdueshëm për të dyja palët. Ai ka thënë se të dyja palët duhet të përmbahen nga shfaqjet provokuese.

“Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve. Ne i inkurajojmë të gjitha palët që të ndihmojnë në sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të ndikojnë në procesin e dialogut”, thuhet në një deklaratë zyrtare të Ristuccias.

KFOR-i e ka konfirmuar edhe më herët që ka rritur prezencën dhe patrullimet në muajt e fundit.

“Mbesim vigjilentë dhe plotësisht të aftë për ta përmbushur mandatin që bie nën Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të gjitha komunitetet në Kosovës. Zgjidhjet duhet të gjenden nëpërmjet dialogut”, përfundon deklarata e komandantit të KFOR-it.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:21
MPJ gjermane për ‘Der Standard’: Barrikadat e paligjshme të serbëve të hiqen sa më shpejt

Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka kërkuar që barrikadat në veri të Kosovës të hiqen sa më shpejt dhe që serbët e Kosovës të kthehen në institucionet e tyre. Pas javësh përshkallëzimi, Ministria e Jashtme gjermane, në një deklaratë për gazetën “Der Standard” kërkon që “barrikadat e paligjshme të ngritura nga serbët e Kosovës, të cilat gjithashtu paraqesin rrezik për sigurinë, duhet të hiqen sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Federale tha gjithashtu: “Ne jemi shumë të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës”.

Javët e fundit, serbët militantë nacionalistë kanë ngritur barrikada në rrugë në veri të Kosovës. Ndër të tjera ata po protestojnë kundër arrestimit të një punonjësi policie që dyshohet se ka sulmuar një qendër votimi. Të enjten pati edhe një demonstratë në veri të Kosovës, gjatë së cilës u shfaq një flamur i madh serb, vazhdon raportimi i gazetës austriake, transmeton Gazeta Express.

“Ata serbë militantë nacionalistë që ngritën barrikadat dhe organizuan demonstratën i përkasin mbështetësve të partisë Lista Srpska, e cila është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të qeverisë në Serbi. Ajo vë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës dhe monopolin e shtetit të Kosovës për përdorimin e forcës në veri të vendit”.

Gazeta po ashtu vë në pah edhe sulmet që mori ambasadori gjerman në Kosovë për deklaratat e tij ku kërkonte heqjen e barrikadave.

Në javët e fundit ka pasur dhunë të përsëritur kundër përfaqësuesve të institucioneve kosovare dhe gazetarëve në veri të Kosovës, ku janë shumica serbë. Është intensifikuar edhe retorika nga Beogradi. “Presidenti Aleksandar Vuçiq madje mendoi të dërgonte personel ushtarak në Kosovë” shkruan Der Standard duke iu referuar kërkesës serbe që i bëri KFOR’it. Po ashtu gazeta përmend sulmin e kryeministres serbe Ana Bërnabiq  në Twitter ndaj ambasadorit gjerman në Kosovë, Jörn Rohde. Më parë ai kishte bërë thirrje për çmontimin e barrikadave, të cilat po ashtu kanë penguar trafikun rrugor prej javësh.

Një zëdhënës i zyrës së jashtme gjermane tha për Der Standard se Rohde kishte bërë deklarata të qarta dhe “përsëri i bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës që të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialogun e udhëhequr nga BE”. Këto çështje janë diskutuar në takimet ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë së Jashtme Federale për Ballkanin Perëndimor dhe ambasadorit serb më 21 dhjetor në Berlin dhe mes ambasadores gjermane në Serbi dhe presidentit serb Vuçiq më 22 dhjetor në Beograd.

Asociacioni i Komunave Serbe

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme tha gjithashtu: “Ne presim një qasje konstruktive nga Serbia. E kemi bërë të qartë në këto bisedime. Është e rëndësishme që serbët e Kosovës të kthehen sa më shpejt në institucionet e Kosovës. Kjo është në interes të popullit që jetojnë në veri. Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të pranojë të vendosë në agjendë zbatimin e Asociacionit të Komunave Serbe të rënë dakord më 2013 dhe 2015. Ne mbështesim të dërguarin special të BE-së Miroslav Lajçak në përpjekjet e tij për të normalizuar përfundimisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve si pjesë e dialogut për të ecur përpara”./Express

Ora 13:49
Situata në veri të Kosovës, Pendarovski: Mos të krijohet panik, NATO e ka nën kontroll situatën

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka reaguar lidhur me situatën në veri të Kosovës, duke deklaruar se trupat e KFOR-it mund ta mbanin situatën nën kontroll edhe në rast të përshkallëzimit të tensioneve.

Në një intervistë për mediat maqesonase tha se situata në veri nuk është për t’u nënvlerësuar, por beson në aftësitë e Aleancës për të menaxhuar situatën.

“Situata nuk është për t’u nënvlerësuar, por NATO-ja ka fuqi të madhe atje. Nëse NATO-ja me forcat e saj ushtarake mund të qëndrojë pas Ukrainës, një vend me 45 milionë banorë, i sulmuar nga një vend me 145 milionë banorë, pa e nënvlerësuar situatën, nuk mendoj se do të ketë ndonjë problem nëse ka ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm të situatës në veri të Kosovës”, ka deklaruar Pendarovski.

Ai shtoi se për shkak të gjendjes që ishte krijuar në veri të Kosovës, kishte mbajtur kontakte të vazhdueshme me drejtuesit e KFOR-it. Çdo 10 ditë Pendarovski tha se kishte biseda të vazhdueshme telefonike me drejtues të KFOR. Presidenti maqedonas shtoi se nuk duhej të krijohej panik shtesë për shkak se NATO e ka nën kontroll të vazhdueshëm situatën.

Ndërkohë në veri të Kosovës, prej dy javësh barrikadat e vendosura nga banorët serbë kanë bllokuar çdo funksionim normal të institucioneve duke shkaktuar edhe tensione dhe përplasje me policinë e Kosovës herë pas here. Ditën e djeshme, mijëra qytetarë serbë morën pjesë në një protestë në fshatin Rudarë të Zveçanit. Ata i vendosen disa kushte për largimin e barrikadave përfshirë lirimin e ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili u arrestua si i dyshuar për organizim të sulmeve terroriste në zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.

Ora 11:32
‘Reuters’ shkruan për Kosovën: S'ka helikopterë, po i kërkon NATO-s që të transportojë një serb të arrestuar

Agjencia e njohur e lajmeve, “Reuters”, ka raportuar për kërkesën e Kosovës ndaj KFOR-it që të transportojë përmes ajrit një ish-polic serb, i cili është arrestuar para dy javëve.

“Ai nuk po mund të dërgohet në ndonjë vend tjetër, për shkak se serbët lokalë, të cilët po e kërkojnë lirimin e tij, kanë vendosur barrikada për ta parandaluar transferimin e tij”- raporton agjencia “Reuters”.

Dejan Pantiqi u arrestua më 10 dhjetor nën akuzën për sulm ndaj zyrtarëve policorë gjatë një proteste të mëparshme. Tensionet janë rritur nga ajo kohë përderisa mijëra serbë të Kosovës po protestojnë, duke kërkuar nga qeveria me shumicë shqiptare e këtij vendi që t’i tërheqë forcat policore nga veriu, ku është e përqendruar pakica serbe.

Serbët lokalë, që janë rreth 50 mijë në pjesën veriore të Kosovës, përsëritën në një protestë të enjten se ata nuk do t’i largojnë barrikadat derisa të lirohet Pantiçi.

 “Ai (Pantiçi) duhet të jetë në një qendër ndalimi e jo në një stacion policor dhe, për këtë arsye, kemi kërkuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë që ta transferojnë atë në një objekt adekuat”- tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për gazetarë në Mitrovicë, vetëm disa kilometra larg barrikadës së parë.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është forca e vetme që ka helikopterë. Kosova nuk ka helikopterë dhe i nevojitet leja e NATO-s për të marrë një në shërbim. KFOR-i tashmë ka transportuar përmes ajrit nëntë zyrtarë policorë ditëve të fundit, të cilët ishin të sëmurë, por pa mundësi për t’u larguar nga zona, pasi rrugët ishin të bllokuara. NATO-ja, e cila ka më shumë se 3,000 trupa në terren, tha se komandanti i KFOR-it është autoriteti i vetëm për të vendosur rreth hapësirës ajrore të Kosovës.

“Secila kërkesë që është refuzuar, është bërë për shkak se, në situatën e tanishme, nuk ishin kushtet e nevojshme të sigurisë”- tha KFOR-i në një deklaratë për agjencinë “Reuters”, pa treguar se çfarë kërkese është refuzuar.

Sveçla tha se policia e tij do të mund t’i largonte barrikadat, por se ai dëshiron që serbët lokalë ose trupat e NATO-s t’i largojnë ato.

 “Për hir të stabilitetit, ne jemi duke pritur që ato të largohen nga ata që i kanë vendosur ose nga KFOR-i, por edhe pritja e ka fundin e vet”- tha ai.

Qeveria e Kosovës ka thënë më parë se njerëzit në barrikada janë të armatosur dhe çfarëdo ndërhyrje e policisë do të mund t’i lëndonte njerëzit nga të dyja palët.

Kryetarët e komunave me shumicë serbe, bashkë me gjykatësit lokalë e rreth 600 policë, dhanë dorëheqje muajin e kaluar në shenjë proteste kundër një vendimi të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat e veturave, të lëshuara nga Serbia, me ato që lëshohen nga Kosova./ Nacionale

Ora 20:02
Situata në veri, policia: Po hetojmë rrëmbimet e raportuara të serbëve nga grupet kriminale

1671460882_1671448943Screenshot3.jpg

Policia e Kosovës tha se është duke kryer hetimet e nevojshme lidhur me informacionet dhe raportimet mediale për rrëmbimin e disa qytetarëve serbë në veri të Kosovës.

Policia tha se është duke i trajtuar këto raste me “seriozitet”.

“Ditëve të kaluara ka pasur informacione, raportime dhe publikime në media lidhur me rrëmbimin, rrahjen dhe keqtrajtimin e disa qytetarëve serbë nga pjesëtarë të strukturave kriminale në pjesën veriore të Republikës së Kosovës”, u tha në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia nuk bëri të ditur se sa persona dyshohet se janë rrëmbyer apo të keqtrajtuar dhe kur kanë ndodhur këto incidente.

Megjithatë, forcat e rendit thanë se tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, kërkojnë ngritjen e kapaciteteve policore për të menaxhuar situatën e sigurisë dhe për të parandaluar “aktivitetet kriminale”.

F.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Çfarë synon vizita e Presidentit kinez në Serbi?

Çfarë synon vizita e Presidentit kinez në Serbi?