Presidenti i FSHF, Armand Duka i ka dalë në mbrojtje të trajnerit të kombëtares Panucci pas kritikave për humbjen në ndeshjen e dytë përballë Skocisë. Duka shprehet se humbja nuk duhet trajtuar si tragjedi, pasi kemi një fitore dhe një barazim duke qenë në gjysmë të rrugës. Kreu i FSHF thotë se trajnerit duhet ti japim kohën e mjaftueshme.

Sapo kemi nisur një turne të ri dhe kemi luajtur dy ndeshjet e para. Kemi marrë tre pikë dhe pësuam humbjen e parë të hënën në mbrëmje në Gllasgou. Një humbje nuk duhet trajtuar si një tragjedi. Kemi patur mundësitë tona por që nuk i shfrytëzuam, ashtu sikurse edhe defektet, që jam i bindur se trajneri i ka tashmë pikë referimi. Jemi në gjysmë të rrugës, me pikë të barabarta me rivalin. Na pret në tetor një transfertë e vështirë në Izrael. Të gjithë ne, duhet ti japim kohën e mjaftueshme trajnerit për të bërë ndryshimet dhe reflektimet e duhura në skuadër. Koha e llogoreve nuk vlen për askënd. Kritikat jane normale për një skuadër kur ajo humbet. Por kur këto bëhen për interesa jo sportive, nuk i shërbejnë askujt. Unë mirëkuptoj çdo shqetësim të tifozëve tanë apo çdo artikulim mediatik por njëherësh i ftoj që këtë situatë jo të mirë ta shndërrojnë duke shpenzuar energji pozitive për kombëtaren tonë!

Presidenti i FSHF, Duka

Pas dy ndeshjeve të para të Ligës së Kombeve Shqipëria ka një humbje dhe një fitore. Kuqezinjtë mundën Izraelin në Elbasan dhe humbën në Skoci. Që prej marrjes së drejtimit të kombëtares, ndër 10 ndeshje, Panucci ka një bilanc negative me 6 humbje, një barazim dhe 3 fitore.