Shqipëria zgjodhi dy kundërshtarë më të fortë për miqësoret e marsit, por disfatat brenda 4 ditësh me Kilin dhe Suedinë lanë pas zhgënjim jo vetëm te tifozët, por edhe te vetë kombëtarja që përgatitet për të marrë pjesë në Evropian.

“Shoh një skuadër të vetëkënaqur. Kjo më shumë në ndeshjen me Kilin, e ndikuar nga kualifikimi për në Europian. Kjo u pa që në dy ndeshjet e fundit kualifikuese ndaj dy skuadrave më të dobëta në letër,”-u shpreh Rraklli.

Për Report TV ish-futbollisti i kombëtares Altin Rraklli thotë se kuqezinjtë duhet të përmirësojnë dy aspekte nëqoftëse duan të paraqiten dinjitozë në Euro 2024.

“Gjendja e tyre fizike optimale, më e mira, maksimale secili nga lojtarët. Jo vetëm lojtarët titullarët, por të 23 futbollistët, pasi duhet dhe ai që zëvendëson të jetë po aq rezultativ sa ai që e nisi nga fillimi. Ana fizike dhe përqendrimi duhet sepse këto ishin ndeshje miqësore dhe sado lojtari nuk jep 100%,”-tha ai.

Sipas Rrakllit Shqipëria e ka fuqinë për ti bërë keq skuadrave të grupit në Europian edhe pse janë kundërshtarë shumë me emër dhe kualitet.

“Unë Spanjën veçoj më shumë sepse është një kundërshtar që i ngjan Kilit, por Italinë dhe Kroacinë nuk i shoh më po aq të forta sa më parë. Dihet që kanë histori të jashtëzakonshme, por vitet e fundit kanë treguar difektet e tyre që ne duhet ti gjejmë dhe ti ndëshkojmë. Në momente të caktuara unë them se mund ti dëmtojmë,”-deklaroi ish-futbollisti i kombëtares.

Rraklli në miqësoren me Suedinë evidentoi si shumë pozitive paraqitjen e Mitajt, ndërsa iu bashkua shumë specialistëve të tjerë që thonë se Armando Broja duhet të thirret patjetër në Europian.