Yjet e sportit të volejbollit nuk shuhen asnjëherë, ato mbesin të tillë përgjithnjë, madje janë frymëzim për brezin e ri. E tillë është edhe një prej ikonave të volejbollit shqiptar, ish-pasuesja e Dinamos dhe kombëtares së volejbollit, Mimoza Ibrahimi.
( Mimoza Ibrahimi gjatë suprizës që i bëri Kombëtarja e volejbollit të femrave )
Një lojtare unike, e papërsëritshme, që ka fituar respektin e mirënjohjen jo vetëm të kolegeve të saj ndër vite por të të gjithë sportdashësit shqiptar.
Për ta nderuar e vlerësuar këtë ikonë të volejbollit, Federata Shqiptare e Volejbollit dhe lojtaret e ekipit kombëtar, kanë vendosur që sot t’i bëjnë një vizitë surprizë Mimoza Ibrahimit në mjediset e saj të punës, duke i dhuruar një buqetë me lule dhe një fanellë të kombëtares, me emrin e saj.
Një takim që mbetet edhe një frymëzim dhe shtysë për më tej për ekipin kombëtar të femrave në volejboll, që është kualifikuar për në fazën finale të Ligës së Europës dhe mbështetja e inkurajimi që Mimoza Ibrahimi i dha këtyre vajzave sot është një premtim për të arritur të tjera rezultate pozitive në të ardhmen.
Faleminderit Mimoza Ibrahimi, për gjithçka që i kë dhënë dhe vazhdon t’i japësh volejbollit shqiptar, duke qenë një frymëzim për sportistet e sotme.