Një “lumë” njerëzish para Pallatit të Kongreseve, në pritje për të parë nga afër komedianin e tyre të preferuar. Max Amini nis këtë mbrëmje maratonën e tetë shfaqjeve në Tiranë, mes entuziazmit të fansave shqiptarë, shumë prej të cilëve i kanë siguruar biletat prej muajsh.
Përveç humorit, ajo që tërheq fansat është edhe mënyra se si komediani amerikano-iranian ndërvepron me publikun gjatë shfaqjeve të tij. Madje, disa prej tyre shpresojnë të bëhen vetë protagonistë të batutave të Amini-t.
“Max Amini-n kemi kohë që e njohim. Sapo pamë që doli njoftimi për shfaqjen, direkt premë biletat. Pjesa kur zgjedh dikë nga publiku dhe e piketon, më pëlqen. Shpresoj të na zgjedhë”, thanë dy vajza, fanse të komedianit.
“Mua më pëlqen shumë humori i tij. Do ta shohim si do të jetë live”, tha një tjetër fans.
Të tjerë tregojnë se e kanë pritur prej kohësh ardhjen e komedianit në Shqipëri, ndërsa biletat i kanë blerë që në fund të verës.
“Kemi kohë që e presim të vijë. Pjesa me shqiponjën më pëlqen shumë, por ka edhe pjesë të tjera. Na pëlqen komedia. Biletat i kemi prerë në fund të gushtit”, tha një tjetër spektator.
Komediani do të zhvillojë tetë shfaqje në Pallatin e Kongreseve deri më 1 dhjetor. Dy prej tyre, të planifikuara fillimisht për Ditën e Flamurit, kur në Tiranë është paralajmëruar protesta kombëtare, janë zhvendosur për më 30 nëntor.
Lajmi kryesor:
Nga skenat më prestigjioze të botës, komediani Max Amini vjen me 8 shfaqje të shitura në Tiranë! Detyrohet të shtyjë dy prej tyre për shkak të protestave









