Hahn e ka vënë theksin te një prej pikave më të kontestuara nga opozita, rolin e ONM (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit) dhe siç duket, ky sqarim i zyrtarit të Brukselit i ka dhënë fund edhe ngërçit të reformës në drejtësi, 24 orë përpara votimit të saj në Kuvend.
Sipas Hahn, roli i ONM do të jetë vetëm rekomandues dhe jo detyrim ligjor, ndërsa vendimmarrja do të jetë e komisionit të vettingut. Por nga ana tjetër, komisioneri Hahn thekson se ONM do të jetë në Kushtetutë, gjë e cila ka qenë një nga kundërshtimet e opozitës për rolin e ndërkombëtarëve në procesin e vettingut.
(Letra e Hahn për krerët e politikës)
"Së pari roli i Operacionit të Monitorimit Ndërkombëtar duhet të ketë një bazë të fortë ligjore në Kushtetutë. Së dyti, rikonfirmoj, siç edhe e kam thënë përgjatë diskutimeve se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të japë vetëm rekomandime të cilat nuk janë ligjërisht të detyrueshme. Megjithatë, këto rekomandime do të përfshijnë një arsyetim në të cilin qëndrimi i mbajtur do të shpjegohet sipas kritereve të caktuara nga legjislacioni”, thuhet në letrën e Hahn drejtuar tre liderëve politik shqiptar.
Roli i ndërkombëtarëve në procesin e vettingut ishte edhenjë prej pikave që mbante peng kompromisin e reformës në drejtësi.
Ekspertët ndërkombëtarë propozuan rol vendimmarrës të ONM në komisionin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, gjë e cila u konsiderua e papranushme nga Partia Demokratike. Megjithatë, roli i ONM do të jetë i rregulluar në Kushtetutë dhe kjo nuk ndryshon në draftin hibrid të propozuar nga Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Victoria Nuland.
Ajo që specifikohet nga të bëjë me rolin ligjor të ekspertëve të huaj. Sipas sqarimit të Bashkimit Europian, të cilët kanë asistuar hartimin e reformës në drejtësi përmes misionit të EURALIUS, ekspertët e huaj do të kenë rol rekomandues në komisionin ku do të bëhet vlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com