Komisioneri për Zgjerimin, Hahn vlerëson marrëveshjen mazhorancë-opozitë

/ATSH-Gjergji Mima/ -Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Johannes Hahn ka vlerësuar arritjen e një marrëveshjeje midis mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri të lehtësuar nga Parlamenti Europian.

Në një prononcim për mediat, Hahn është shprehur se, debati politik zhvillohet brenda Parlamentit dhe shpreson, që kjo marrëveshje do të respektohet nga palët.
I pyetur nëse Komisioni Europian ka rol në zbatimin e kësaj marrëveshjeje, Komisioneri Hahn i është referuar një roli stimulues.

"Kam qenë në kontakt me politikanët shqiptarë për këtë çështje. Duke qenë se kjo marrëveshje ka të bëjë me bashkëpunimin politik brenda Kuvendit, është shumë mirë që ajo u arrit në nivelin e parlamenteve. Ndaj, Parlamenti Europian ishte institucioni i duhur për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Gjithsesi, edhe ne e kemi stimuluar arritjen e kësaj marrëveshjeje, duke qenë se prezenca e opozitës jashtë Parlamentit është një çështje që nuk është shfaqur vetëm në Shqipëri, por edhe në Maqedoni. Për të avancuar në integrimin europian drejt anëtarësimit në BE, nevojitet që debati politik të kryhet brenda Parlamentit.  Partitë politike duhet të jenë në Parlament për të zhvilluar një debat të matur politik mbi çështjet përkatëse", ka thënë Komisioneri Hahn.

Bashkëpunimi midis forcave politike shqiptare është parakusht për përmbushjen e kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE dhe integrimin e vendit në këtë organizatë.

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Johannes Hahn do të vijë për herë të parë në Shqipëri në fund të shkrutit kur do tëmbahet edhe Tryeza e Dialogut të Nivelit të Lartë, Shqipëri-BE.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale