Komisionerja europiane për Zgjerim, Marta Kos, është shprehur se mbështet fuqishëm vizionin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027. Nëse ky objektiv do të arrihet, Marta Kos premtoi se do të ngjisë malin e Korabit bashkë me kryeministrin Rama.

“Ne mblidhemi këtu sa herë që flasim për kapitujt. Por gjithçka që bëjmë e bëjmë për njerëzit. Kjo mbështetje kaq e lartë në vendin tuaj, është udhëheqja më e mirë që mund të ketë vendi. Shqipëria po shfrytëzon këtë moment historik ku zgjerimi është edhe njëherë përparësi e BE-së. Nëse dikush e kupton se kjo derë mundësie nuk mund të jetë e hapur gjithmonë, ky është vendi juaj. Dhe duke kuptuar këtë ju mund të jeni të suksesshëm. Kur flasim për datën ju thashë që mbështesim vizionin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe pastaj do i ngjitem Korabit bashkë me kryeministrin. Kjo është e vetmja piketë mbyllëse që kam pasur sot”, tha mes të tjerash Kos.

Nga ana tjetër, me batura kryeministri Edi Rama i propozoi komisioneres Kos që në vend të malit të Korabit, të ngjisin Kullën Eifel.

“Mund të bëjmë një kompromis, mund t’i ngjitemi Kullës Eifel, kur Franca të thotë po, ‘mirëseerdhët në klub’. Do të jetë më e vështirë se Korabi”, u përgjigj Rama.


Lajmi kryesor:

Konferenca Ndërqeveritare, Rama: Do të jemi anëtarë të BE brenda kësaj dekade! Mësoni nga dashuria e Shqipërisë! Kos: Mbështesim vizionin për mbylljen e negociatave deri në 2027