Raporti i vitit 2026 konfirmon përafrimin me standardet evropiane për pavarësinë e bankës qendrore dhe ndalimin e financimit monetar të sektorit publik.
Nga një rekomandim për ndryshimin e ligjit në raport progreset e vitet e fundit te njohja e përparimit në vitin 2026. Raporti i ri i Komisionit Evropian për Shqipërinë vlerëson miratimin e ligjit të ri për Bankën e Shqipërisë, duke evidentuar një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së standardeve evropiane në fushën e politikës monetare.
Ecuria e reformës bëhet edhe më e qartë nga krahasimi i raporteve të viteve të fundit. Në vitin 2024, Komisioni Evropian kërkonte shprehimisht forcimin e garancive për pavarësinë e Bankës së Shqipërisë: “Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar pavarësinë e plotë personale të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe organet drejtuese..., si dhe që Banka e Shqipërisë të respektojë plotësisht ndalimin e financimit monetar.” Edhe ne vitin 2025 përafrimi i plotë i ligjit për Bankën e Shqipërisë me acquis-in e BE-së renditej ndër rekomandimet kryesore për vitin pasardhës.
Në raportin e vitit 2026, vlerësimi ndryshon: “Legjislacioni është i përafruar me acquis-in e BE-së për pavarësinë e bankës qendrore dhe ndalimin e financimit monetar të sektorit publik.” Ky formulim shënon kalimin nga përafrimi i pjesshëm në përafrim në dy fusha themelore. Raporti evidenton gjithashtu se ligji i ri për Bankën e Shqipërisë u miratua në tetor 2026.
Pavarësia e bankës qendrore është një nga kërkesat kyçe të Bashkimit Evropian. Ajo mbështet vendimmarrjen monetare në funksion të mandatit të institucionit, ndërsa ndalimi i financimit monetar të sektorit publik vendos kufij të qartë ndaj financimit të drejtpërdrejtë të tij nga banka qendrore. Pikërisht për këto dy shtylla, raporti i ri konfirmon përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së.
Përparimi pasqyrohet edhe në vlerësimin e përgjithshëm të kapitullit 17, “Politika ekonomike dhe monetare”. Në vitin 2025, Shqipëria vlerësohej ndërmjet një niveli të moderuar dhe të mirë përgatitjeje, me njëfarë përparimi. Në vitin 2026, Komisioni konstaton një nivel të mirë përgatitjeje dhe përparim të mirë, duke përmendur shprehimisht miratimin e ligjit të ri për Bankën e Shqipërisë.
Njëkohësisht, raporti rikonfirmon nivelin e lartë të përafrimit me rregullat evropiane për ndalimin e aksesit të privilegjuar të sektorit publik në institucionet financiare.
Vlerësimi i ri pozitiv vjen pas njohjes, në raportin e vitit 2025, të kontributit të Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Me miratimin e ligjit të ri, këtij vlerësimi i shtohet një arritje konkrete në kuadrin ligjor: përmbushja e kërkesave evropiane në dy fusha që qëndrojnë në themel të funksionimit të një banke qendrore të pavarur.
Vlerësimet pozitive shtrihen edhe në modernizimin e pagesave. Raporti evidenton ndryshimet e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në kuadrin e sistemeve të pagesave, të cilat mundësojnë kalimin drejt standardeve ISO 20022 dhe SEPA dhe rrisin efikasitetin e pagesave elektronike. Sipas të dhënave të cituara në raport, pagesat elektronike u rritën me 23% gjatë vitit 2025. Komisioni pasqyron gjithashtu përgatitjet për sistemin e pagesave të menjëhershme, të bazuar në modelin TIPS, për të cilin bankat tregtare kanë nisur fazën e testimit.
Një tjetër tregues i rëndësishëm është qëndrueshmëria e sektorit bankar. Raporti e përshkruan atë si të mirëkapitalizuar dhe rentabël, me pozicione të forta likuiditeti. Në dhjetor 2025, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në 20.4%, dukshëm mbi kërkesën minimale prej 12%. Ndërkohë, kreditë me probleme zbritën në 3.8% në maj 2026, niveli më i ulët që prej vitit 2008.
Këta tregues shoqërohen me rritjen e financimit për ekonominë. Kredia për sektorin privat shënoi rritje vjetore mbi 14% në gjysmën e parë të vitit 2026. Në këtë kontekst, Komisioni evidenton se mbikëqyrja bankare mbeti e kujdesshme, ndërsa Banka e Shqipërisë përmirësoi monitorimin e ekspozimit të bankave ndaj pasurive të paluajtshme dhe të standardeve të kreditimit. Raporti pasqyron edhe masat e marra për të administruar rreziqet që lidhen me rritjen e shpejtë të kredive për banesa.
Në fushën e shërbimeve financiare, raporti evidenton miratimin nga Banka e Shqipërisë të rregulloreve për rezervën e rrezikut sistemik dhe qëndrueshmërinë operacionale digjitale. Një zhvillim i veçantë është edhe licencimi, në mars 2026, i bankës së parë plotësisht digjitale në Shqipëri, që shënon një hap të ri në transformimin e shërbimeve bankare.
Komisioni pasqyron gjithashtu forcimin e kërkesave rregullative për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Ndryshimet e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në rregulloret përkatëse dhe në kërkesat për licencimin e bankave synojnë forcimin e vigjilencës së duhur dhe adresimin e rekomandimeve të MONEYVAL-it.
Raporti përcakton edhe detyrat për vijimin e reformave, përfshirë zbatimin e legjislacionit të pagesave, avancimin e infrastrukturës së pagesave të menjëhershme dhe përafrimin e mëtejshëm të rregullimit bankar me BE-në.
Nga forcimi i pavarësisë ligjore te modernizimi i pagesave dhe ruajtja e qëndrueshmërisë bankare, raporti i vitit 2026 evidenton disa fusha përparimi të Bankës së Shqipërisë. Ligji i ri qëndron në qendër të këtij vlerësimi, si një arritje që e afron më tej kuadrin institucional të vendit me standardet evropiane.









Komente
Komento