TIRANË- Vazhdim të marrëveshjes së 17 majit mes Bashës e Ramës e ka konsideruar kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, zhvillimet në komisionin hetimor për inceneratorët. Ajo i bëri thirrje SPAK që të veprojë bazuar mbi faktet, ndërsa theksoi se kjo aferë duhet zbardhur dhe nuk duhet të dështojë siç dështoi mbrojtja e Teatrit Kombëtar.
"Besoj e mbani mend 17 Majin kur Basha braktisi demokratët në çadër për të bashkëqeverisur me Ramën. Zhvillimet në komisionin hetimor parlamentar po duken fiks si një vazhdim i kësaj lidhjeje të veçantë e të fshehtë. Zbardhja e së vërtetës për inceneratorët nuk duhet të dështojë, siç dështoi mbrojtja e Teatrit Kombëtar. Loja politike mes qeverisë dhe kunat-opozitës nuk duhet lejuar të deformojë drejtësinë e re! Inkurajoj SPAK të veprojë mbi faktet pa humbur kohë! Këtu ndahet historia, duke treguar nëse jemi duke ndërtuar një shtet të së drejtës evropiane, apo drejt instalimit final të kapjes së shtetit, drejtësisë, opozitës", tha Kryemadhi.
Kjo nuk është hera e parë që Kryemadhi sulmon Komisionin Hetimor. Më herët, ajo është shprehur se ky Komision do të përfundojë thjesht me dëshmitarë që nuk dëshmojnë apo nuk do mbajnë mend se çfarë ka ndodhur.
Partia Demokratike ka reaguar pasi kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi 'sulmoi' Komisionin Hetimor për Inceneratorët. Për PD-në, PS, LSI dhe Sali Berisha nuk duan që Shqipëria të ndryshojë dhe se për këtë sulmojnë veprimtarinë e Komisionit Hetimor.
"Ja kush po sulmon Komisionin Hetimor për inceneratorët, që po punon për të zbardhur të vërtetën mbi vjedhjen e 430 milionë euro. Nga një anë Rama dhe PS. Nga ana tjetër LSI dhe Berisha. Të tre i lidh i njëjti hall: Këta nuk duan që Shqipëria të ndryshojë!", thuhet në reagimin e PD.