TIRANE- Partia Demokratike pritet që të kërkojë shtyrjen e afatit të komisionit hetimor për largimet në Policinë e Shtetit. Afati i këtij komisioni është deri më 11 prill, por puna ka mbetur disi mbrapa, pasi nesër do të fillojnë seancat dëgjimore ku numri i personave është tejet i lartë dhe do të kërkojë një kohë më të gjatë. Veç kësaj, duhet të bëhet edhe hartimi i raportit, gjë e cila mund të çojë ne tejkalim të afatit dhe për këtë gjë, PD do t’i kërkojë Kuvendit një afat të ri kohor për komisionin.
I kontaktuar nga gazeta “Shqiptarja.com”, kryetari i komisionit Hetimor, Arben Ristani, theksoi se komisioni do të vijoj punën e tij me ritmet maksimale, por në rast se do të duhet një kohë me e gjatë, ai do të kërkojë një shtyrje afati të jetëgjatësisë së komisionit hetimor. “Shtyrja e komisionit varet nëse do t’ia dalim në kohë ose jo. Nëse nuk mjafton koha, ne do të kërkojmë shtyrje të afatit të komisionit hetimor pasi jemi brenda ligjit. Çdo gjë është mëse ligjore dhe ne do ta kërkojmë atë”,- theksoi Arben Ristani për gazetën “Shqiptarja.com”.

Procedurat
Sipas rendit të ditës së komisionit hetimor, është parashikuar që nesër të fillojnë edhe seancat dëgjimore me krerët e Policisë së Shtetit, si edhe me personat e larguar. I pari që do ta hap këtë, është ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i cili pak ditë më parë u akuzua nga SHKB-ja për abuzim me detyrën pasi sipas tyre, ai kishte shitur makineri për skrap dhe kishte abuzuar me tenderat e kancelarive. Procedura e Komisionit ka parashikuar që çdo person që do të flasë, do të ketë një kohë prej rreth 10 minutash, por duke qenë se disa prej tyre janë në qendër të akuzave politike, pritet që të ketë një zgjatje të kohës. Njoftimi i Kuvendit bën me dije edhe personat që do të flasin nesër në Komision. “Hysni Byrgaj, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Xhevair Karaj, drejtor i Personelit në Policinë e Shtetit. Artan Didi, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Altin Qato, zv.drejtor i Përgjithshëm. Sokol Bizhga zv.drejtor i Përgjithshëm”, thuhet në njoftimin e Kuvendit. Krahas këtyre, pjesë e raportimit do të jenë edhe shefat e komisariateve.

Por në redin e ditës së nesërme nuk janë parashikuar seancat dëgjimore me ministrin Brendshëm Saimir Tahirin, si edhe me ish-zv.drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Agron Kuliçaj, dy persona të cilët pritet që të jenë pjesë e një debati të fortë në komision. Kësisoj edhe koha e nevojshme për të ezauruar të gjitha seancat dëgjimore nuk është e mjaftueshme dhe për rrjedhojë, opozita mund të kërkojë një shtyrje të afatit. Nga ana e mazhorancës, shprehet një bindje se koha e mbetur është mëse e mjaftueshme për të gjitha procedurat.

Shkrimi u publikua sot (6.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)