Komisioni i Jashtëm ratifikon dy marrëveshje

/ATSH/.- Protokolli nr. 15 i Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj maqedonase "për mbrojtjen shoqërore" janë dy dokumentet e ratifikuara të martën nga komisioni i Jashtëm në Kuvend.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë duke mbrojtur Protokollin nr.15 u shprehën se qëllimi i tij është zhvillimi i bashkëpunimit ndërmjet palës shqiptare dhe shteteve anëtare të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Ky protokoll shërben gjithashtu dhe për mbështetjen, nga ana e autoriteteve shqiptare, të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe për lehtësimin e mundësisë së qytetarëve në ushtrimin e të drejtave dhe interesave të tyre në mënyrë sa më efikase.
Ekspertë të dikasterit të Drejtësisë nënvizuan se ratifikimi i kësaj marrëveshje lehtëson procedurat për trajtimin e çështjeve nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Ndërsa sa i takon marrëveshjes me Maqedoninë 'për mbrojtjen shoqërore' u theksua se ajo është në përputhje me eksperiencën ndërkombëtare në këtë fushë, ku mbrojtja e emigrantëve rregullohet nëpërmjet aderimit në instrumentet ligjore ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes shoqërore, nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe ndërmjet vendeve respektive, si dhe nga legjislacioni kombëtar.
Kryetarja e komisionit, znj. Arta Dade u shpreh se nga kjo marrëveshje përfitojnë emigrantët që janë të punësuar në Maqedoni, që në kuadrin e lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë të përfitojnë dhe vitet e punës.

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Australi, program kundër izolimit social