TIRANË – Komisioni i Jashtëm nuk është mbledhur sot për të diskutuar Rezolutën për Çështjen Çame, sikur ishte përcaktuar në mbledhjen e fundit. Për këtë arsye, Shoqata patriotike “Çamëria” doli sot në një konferencë shtypi në ambientet e PDIU-së për të bërë publike këtë padrejtësi që po i bëhet popullsisë çame.

Kryetari i shoqatës, Adem Tana, tha: “Shoqata Çamëria ndjek me vëmendje dhe pritshmëri zhvillimet e fundit në lidhje me miratimin e një dokumenti historik të të drejtave të njeriut, Rezolutën për Zgjidhjen e Çështjes Çame. Kjo rezolutë është po aq kombëtare sa edhe politike, një domosdoshmëri për të nisur mbylljen e një plage të hapur të shoqërisë sonë. Ndonëse ishte paralajmëruar, po shohim me shqetësim faktin që komisioni i jashtëm nuk po mblidhet sot dhe njëri prej relatorëve është izoluar në fshatrat e zonës së tij elektorale për fushatë.

Miratimi i kësaj rezolute, sot, duhet të jetë në plan të parë, pas 70 vjetësh nëpërkëmbjeje dhe heshtjeje ndaj çështjes çame, një padrejtësie të madhe të ushtruar ndaj kombit tonë. Kjo zvarritje e pajustifikuar nuk mund të pranohet nga asnjë shqiptar. Për këtë arsye, Shoqata Çamëria dhe Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ftojnë të gjithë shqiptarët ditën e enjte në orën 11 përpara parlamentit për të protestuar në mbështetje të miratimit të rezolutës.

Ftojmë në këtë tubim paqësor të gjithë shqiptarët e Çamërisë, prindërit e të cilëve kanë humbur jetën apo janë dëbuar në një spastrim të egër etnik. Por mbi të gjitha, ftojmë çdo shqiptar, pavarësisht prejardhjes dhe bindjeve politike, që të shpreh vullnetin e kombit tonë për të çuar drejt zgjidhjes këtë çështje kombëtare.

Ditën e enjte, në orën 11 përpara parlamentit”, - theksoi Tana, - “ne do të tregojmë se rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame ka mbështetjen e të gjithë kombit e si pasojë zvarritja taktike e saj, nuk i shërben askujt”.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)