Deputetët e Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi dhe Tomor Alizoti kanë kundërshtuar ashpër në Komisionin e Ligjeve propozimin e PS për ndjarjen e re territoriale.
Bylykbashi tha gjatë fjalës së tij se Reforma Territoriale sipas propozimit të PS, është shkelje e Kushtetutës dhe e interesit të qytetarëve.
Ai e cilësoi propozimin e PD për ‘Territorialen’ shumë më të mirë se ai i PS, ndërkohë që akusoi Kuvendin se në mënyrë të qëllimshme pengon iniciativën legjislative të opozitës.
“Jemi në përfundimin e Kushtetutës dhe të interesit të qytetarëve. Është depozituar propozimi i PD-së për një ndarje tjetër administrative. Kemi kërkuar që të bashkohen, ndërsa ju keni refuzuar që të bashkohen 2 proceset në një të vetme. Sigurisht që kjo është një cenim tjetër jo thjeshtë i procesit legjislativ. Sepse mundet të jeni përpjekur ta respektoni te gërma, por asaj që është thelbi. Kemi një propozim i cili është shumë më i mirë se ai që keni ju. Megjithatë kjo t’i lihet për gjykim deputetëve, por edhe të çohet për konsultim, të merret opinioni i njësive përkatëse. Ndërkohë kemi kërkuar edhe vlerësim nga Kongresi i Autoriteteve Vendore e Rajonale i Këshillit të Europës. Të gjitha këto i keni refuzuar se nxitoni. Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të qëllimshme pengon iniciativën legjislative të opozitës, që ajo të konsultohet dhe të vijnë qëndrimet e komuniteteve dhe pushteteve vendore lidhur me këtë propozim”, tha mes të tjerash Bylykbashi.
Nga ana tjetër, deputeti Tomor Alizoti tha se nuk mundet që një nismë deputetësh të heqë dëshirën e njerëzve që jetojnë në bashkitë që ‘shkrihen’ sipas propozimit të PS, për të zgjedhur sipas vullnetit të tyre.
Duke iu drejtuar mazhorancës socialiste, Alizoti tha se PS nuk mund të përdorë forcën e shumicës për të realizuar gjithçka.
Në përfundim Alizoti u shpreh se propozimi i PS për hartën e re territoriale ka qëllime elektorale. Sipas tij, sa herë që PS-së i duhen vota, ata bëjnë një Reformë të re Territoriale.
“Një reformë kaq e rëndësishme siç është Reforma Territoriale do kohë. Sepse flitet për territorin e njerëzve. Nuk mundet një nismë deputetësh të heqë dëshirën e njerëzve që jetojnë atje. Nëse Këshilli Bashkiak i Prrenjasit apo edhe i të tjerave del kundra, si mund ta anashkaloni këtë? Sepse thelbi i demokracisë ka bazë konsensusin. Ju s’mund të ushtroni forcën e shumicës, për të realizuar gjithçka. Dhe sillni këtu çdo lloj planesh. Si mund ta merrni me forcë një zonë, duke i hequr të drejtën. Ky është një qëllim elektoral. S’mund të bëni një hartë territoriale që nuk e duan njerëzit. Sa herë që duhen vota, nuk mund të bëhen reforma”, tha Alizoti.
Lajmi kryesor:
Mes debateve, 'Ligjet' miratojnë me 8 vota pro draftin e PS për hartën e re territoriale! Mazniku: S'ka largim të shërbimeve! Blushi: Jeni pengje, vendimi ka për t'ju përndjekur gjithë jetën






