Miratimi i pr/buxhetit është shoqëruar me debate mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, e cila e ka kritikuar mënyrën e hartimit dhe shpërndarjes së tij, si një pr/buxhet që nuk merre parasysh krizën dhe nuk ndalet në uljen e borxhit publik. Deputeti socialist, Bashkim Fino, akuzoi qeverinë për një mbështetje të vogël të pushtetit vendor. Sipas tij, të ardhurat për pushtetin vendor në buxhet janë më të ulëta se një vit më parë.
Nga ana e saj Drejtoresha e Përgjithshme e buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi, duke njohur anëtarët e komisionit me projektligjin, tha se p/buxheti synon ruajtjen e stabiliteti makroekonomik. Sipas saj, për hartimin e tij, është marrë parasysh edhe presioni që mund të vijë nga kriza në vendet fqinje.
"P/buxheti i shtetit për vitin 2012 synon ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, inflacionin në nivelet rreth 3 %, një borxh publik brenda kufirit prej 60 % si dhe rritje ekonomike rreth 4.3 %", deklaroi Dhëmbi. Ajo bëri të ditur se objektivat do të vazhdojnë të jenë rritja e pagave dhe pensioeneve, mbështetja me rreth 5 % e PBB-së e investimeve publike, duke ruajtur nivelin më të lartë të investimeve publike.
"Totali i të ardhurave parashikohet me një rritje prej 8 %, ose 356 miliardë lekë, me një rediment fiskal prej 25.5 % të PBB-së. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat parashikohen 251 miliard lekë. Shpenzimet e buxhetit të shtetit parashikohet të jenë në parametrat që të mundësojnë një defiçit jo më shumë se 3 %, ose rreth 397 miliardë lekë sa 28.5 % e PBB-së", sqaroi Dhëmbi.
KOMISIONI I EKONOMISE
Ndërsa Komisioni i Ekonomisë vendosi të shtyjë diskutimet për pasdite për shkak se deputetët PS-së anëtarë të komisionit, kërkuan që debatet të bëhen në prani të nivelit politik.
Deputetja Mimi Kodheli kërkoi që debatet për pr/buxhetin të bëhen në prani edhe të përfaqësuesve të qeverisë. Kërkesa u mbështet edhe nga deputetët e tjerë të opozitës. Nga ana e deputetëve PD u deklarua se radhën e kaluar buxheti ishte prezantuar nga vetë ministry Bode, dhe diskutimet në nivel teknik mund të vazhdonin dhe pa praninë e një niveli politik.
Diskutimet pritet të nisin rreth orës 17. 30 minuta kur në komision të jenë të pranishëm dhe zv ministrat e Ministrisë së Financës.
(s.g/shqiptarja.com)