TIRANE- Komisioni i Ligjeve ka miratuar me shumicë votash projektligjin e propozuar nga deputeti i PS-së, Blendi Klosi për shtyrjen deri në dhjetor 2026 të afatit të përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për hotelet luksoze më 4 dhe 5 yje. Sipas ligjit ekzistues, të gjitha subjektet e hotelerisë, që përfitonin statusin special brenda datës 31 dhjetor 2026, përjashtohen nga tatimi mbi fitimin për 10 vitet e ardhshme.
Mbledhja e Komisionit të Ligjeve u shoqërua me debate, ku deputeti i PS-së, Pandeli Majko ka deklaruar votën abstenim. Majko tha se "industria e turizmit bazohet në hotele me 3 yje e poshtë, ku unë jam frekuentues i rregullt, shpresoj që ju të kuptoni se unë do të abstenoj për propozimin tuaj”.
Me Klosin ndaj një miqësi shumë të vjetër, dhe kjo është parathënie për të mos krijuar keqkuptime lidhur me disa nga rezervat që unë kam për këtë propozim. Së pari dëshiroj të them që unë u binda me argumentet se pse duhen brandet dhe mekanizmi i brandeve si presion për rritjen e cilësisë në turizëm. Por, unë nuk kuptoj pse ky standard duhet të funksionojë si i tillë deri në dhjetor 2026, nëse bëhet fjalë që kjo është një cilësi e përhershme, pse e sillni përsëri për një shtyrje 2 apo 5 vjeçare. Nëse doni që brandet të jenë si cilësi e turizmit shqiptar, nuk e kuptoj pse duhet të themi që deri në dhjetor 2026 brandet do të vijnë në Shqipëri dhe pas kësaj për të mira e gëzime. Së dyti, ju thoni që është për nxitjen e investimeve , por në paragraf thuhet “entitetet që operojnë në strukturat akomoduese”. Operojnë dhe investues janë dy gjëra të ndryshme. Industria jonë e turizmit bazohet në hotele me 3 yje e poshtë, ku unë jam frekuentues i rregullt, shpresoj që ju të kuptoni se unë do të abstenoj për propozimin tuaj' tha ai.
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, shqyrtoi sot nismën e deputetit të Partisë Socialiste, Blendi Klosi për ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, që kanë për qëllim të zgjasin me 2 vite afatin e përfitimit të statusit special për entitetet që operojnë në struktura akomoduese “hotel/resort me katër dhe pesë yje”.
Sipas Klosit, futja e hoteleve me 5 yje në Shqipëri do të sjellë tre gjëra shumë të rëndësishme.
“E para standardin, e dyta konkurrenca në rajon, konkurrenca në botën e turizmit. Nga vendosja e këtyre standardeve do të sjellë pikën e tretë shumë të rëndësishëm pasi hotelet me 5 yje janë shkolla më vete turizmi”, tha Klosi.
Sipas Klosit “ky projektligj synon incentivimin e sektorit të turizmit duke ulur normën tatimore në 0% për 10 vitet e para fiskale, për strukturat akomoduese “hotel/resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimeve në legjislacionin e fushës së turizmit”.
Opozita e ka quan ligj me porosi klienteliste në këmbim të votave draftin e propozuar nga Blendi Klosi ‘Për tatimin mbi të ardhurat” për të zgjatur me 2 vjet statusit special të hoteleve dhe resorteve me 5 yje, status që i përjashton nga taksat.
Deputetja e Partisë Demokratik Dhurata Çupi tha se ligji është me efekt të pastër elektoral dhe se po përdoret për të marrë vota për PS-në.
“I rrezikshëm sepse nxit pabarazinë fiskale, ul të ardhurat publike në mënyrë të ndjeshme dhe ka ndikim edhe në drejtësinë sociale”, tha Çupi.
Çupi tha se projektligji është një precedent i rrezikshëm.
“Në konceptim tim sjell efekt minimal në turizëm. Ju kërkoj që ta tërhiqni këtë projektligj, mos u përdorni nga qeveria”, tha Çupi
Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese miratoi sot ndryshimet në ligjin për “Për investimet”, në mbledhjen e radhës në Kuvend.
Ndryshimet e miratuara në ligjin për investimet, të propozuara nga deputetja socialiste Pranvera Resulaj, kanë si qëllim tërheqjen e investimeve strategjike dhe mbështetje për investitorët vendas dhe të huaj. Kjo përfshin edhe lehtësimin e procedurave për investimet strategjike dhe mundësinë e aplikimit për këtë status në të gjitha sektorët e ekonomisë. Kjo ka si objektiv rritjen e investimeve, duke përfshirë edhe ndihmën për investitorët që kërkojnë të përfitojnë nga statusi i investitorëve strategjikë.
Një aspekt i rëndësishëm i ndryshimeve është zgjatja e afatit deri më 31 dhjetor 2026 për paraqitjen e kërkesave nga subjektet investuese që dëshirojnë të përfitojnë nga këto lehtësira.
Megjithatë, opozita, përmes deputetit Helidon Bushati, ka shprehur shqetësim se këto ndryshime mund të favorizojnë ndërtimin e kullave për banim, një sektor që nuk prodhon vlera të tjera konkrete për ekonominë, si dhe ka kritikuar se qeveria aktuale ende nuk ka arritur të tërheqë investime të huaja në nivelin e vitit 2012, kur qeveria e mëparshme arriti një performancë më të lartë në këtë fushë.
Nga ana tjetër, drejtuesja e AIDA-s, Laura Saro, theksoi se ndërtimi për banesa nuk përfiton nga lehtësirat që ofron ky ligj, duke sqaruar se investimet strategjike që kanë përfituar nga statusi i investitorëve strategjikë janë të shumta dhe kanë sjellë një impakt të rëndësishëm në ekonomi, duke përmendur projektin e Lidl-it si një shembull pozitiv.
Ndryshimet në ligj, përmes këtyre zhvillimeve, synojnë të krijojnë mundësi më të mira për investitorët, por mbeten të hapura disa çështje dhe shqetësime për mënyrën se si do të shpërndahen përfitimet e mundshme.
Zoti Majko çdo vit frekuenton Hotele me 5 yje ne Turqi
Përgjigju