Komisioni i Ligjeve miratoi këtë të hënë, projektligjin për regjistrimin e emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha para deputetëve se ky projektligj do t’u krijojë mundësinë emigrantëve për më shumë shërbime.
 
Por nga ana tjetër, ky projektligj nuk është votuar nga deputetët e opozitës, të cilët e konsideruan si një minë në themelet e procesit zgjedhor, pasi sipas tyre i përjashton emigrantët nga e drejta e votës.
 
Ata kërkuan që ligji të shqyrtohej nga komisioni i reformës zgjedhore, për t’u harmonizuar me Kodin Zgjedhor, por kërkesa e tyre e cila u hodh në votim nga kreu i komisionit të ligjeve Fatmir Xhafaj, u rrëzua.

Pas debateve të palëve në komisionin e ligjeve që u përqëndruan më tepër në faktin nëse emigrantët do të mund të votonin apo jo, projektligji u vendos të kalohej në seancë plenare për miratim.
 
Debatet
 

Bylykbashi: Ky projektligj cënon të drejtën e votës. 
Tahiri: Nuk e ka objekt të drejtën e votës ky projektligj. Ne shtrojmë gurët e themelit për të shkuar deri atje. Komisioni për reformën zgjedhore do të vendosë për votën e emigrantëve. 
Bylykbashi: Ju po e cënoni të drejtën e votës emigrantëve. Regjistrimi i adresës jashtë vendit do të shuajë adresën që kanë brenda vendit. 
Tahiri: Emigranti nuk do të hiqen nga regjistri. Thjesht saktësohen se ku janë. Janë mbi 550 mijë që nuk e dinë ku janë. 
Bylykbashi: Sipas Kodit Zgjedhor, lista e zgjedhësve përputhet me kodin e adresave. Ata që do ta kenë jashtë vendbanimin, do të përjashtohen nga e drejta e votës. Ne nuk kemi kode adresash për jashtë territorit. 
Tahiri: Ka një keqkuptim të madh nga ana juaj. Ne nuk i fshijmë nga regjistri. Mund të mbahen dy vendbanime. 
Vasili: Ky ligj nuk lidh asgjë me të drejtën e votës dhe teknikalitetet e saj. 

Fjala e Ministrit Tahiri ne Komisionin e Ligjeve


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)