Administrata publike vazhdon të jetë një mollë sherri mes mazhorancës dhe opozitës, të cilët kanë lexime krejt të kundërta nëse punonjësit e shtetit u përdorën apo jo në fushatë.
Komisionerja për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil dhe Ministrja për Administratën Publike debatuan me deputetë demokratë të Komisionit të Ligjeve, gjatë raportimit vjetor.
“Në fakt, ne nuk kemi pasur ndonjë ankesë nga nëpunës civil për presione, asnjë”,-tha Pranvera Strakosha, Komisionere për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil.
“Që të vijnë ankesat tek ju, duhet të kenë edhe perceptimin e panashmërisë suaj”,-replikoi deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi.
“Tani, a ka presione që ju kanë thënë të votojë diaspora, ne nuk kemi përgjues pranë cdo nëpunësi civil që të na thonë”,-u shpreh Strakosha.
“Kjo është një vulë e zezë që i vihet punës së institucionin tuaj, se kjo nuk duhet të kishte ndodhur. E sheh ODIHR, nuk e sheh ti, ne të paguajmë të monitorosh, ti nuk e bën dot”,-shtoi Gent Strazimiri, deputet i PD.
“Është pikërisht në sajë të kësaj administrate publike që Shqipëria ka hapur 5 nga 6 grupëkapitujt negociues me BE”,-ndërhyri Adea Pirdeni, Ministre për Administratën Publike.
Përveç fushatës, opozitarët e kritikuan edhe sjelljen e kryeministrit ndaj stafeve të bashkive.
“Rama urdhëroi të dorëhiqen stafet e bashkive dhe praktikisht tani po i mbush me njerëz të PD’, tha Gjin Gjoni Deputet i PD
“Ne hetojmë heqjet nga puna si pasojë e shkeljeve të ligjit dhe jo dorëheqjet. Dorëheqjet janë në diskrecion të individit, dëgjon apo jo ai një thirrje që bëhet, është punë për të’, tha Pranvera Strakosha Komisionere për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve ngriti shqetësimin se shteti paguan fatura shumë të larta nga ata që fitojnë gjyqet e pushimit nga puna. Në tryezë u propozua ndryshim ligjor, që të mos paguhen ata punonjës që nuk pranojnë vende alternative pune.
Komente










