TIRANE- Opozita braktis Komisionin e Ligjeve e cila kishte marrë në diskutim nen për nen pr/ligjin e inspektimeve. Deputeti socialist Pandeli Majko e cilësoi veprime  “të paprecedentë” diskutimin e 77 pr/ligjeve në një paketë të vetme. Madje ai tërhoqi vëmendjen  pasi nuk janë sjellë ndryshimet e kërkuara nga deputetët në pr/ligj. 

“Kërkuam të sillni ndryshime nuk e bëtë. Ju kërkuam kopje të ligjeve, ne nuk kemi asnjë. Ju nuk keni sjellë.”- tha Majko. 

Socialistët argumentojnë se Komisioni i ligjeve nuk mund të shqyrtojnë si paketë të vetme, 77 ligje për inspektimin por vetëm një nga një.

"Si mund të diskutohen ligjet si nene. Nuk mund të vazhdohet kështu. Nuk ka ndodhur ndonjëherë një precedent i tillë. Nuk mund të marrim pjesë në këtë histori. Jua përsëritëm. Ju kërkuam të sillen kopje të ligjeve të ndara sipas 77 rasteve që kërkohen ndryshimet në ligj. As këtë se keni bërë, ne vazhdojmë diskutimin e themi neni bëhet ligj. Këtu nuk shtrohet problemi do rrimë apo do ikim. Nëse doni ta shikojmë vetëm si inspektorati veterinar e shikojmë, por nuk kemi lopë përpara, po diskutojmë për ligjin."- tha Majko.

“Ndonjë zgjidhje alternative të shkon ndërmend”- u tha kryetari i komisionit të Ligjeve Ilir Rusmali. Në këtë moment opozita u largua dhe Rusmali reagoi “E gjeti zgjidhjen atlertanive”

Deputetja Vasilika Hysi kërkoi që për çdo ligj që do të  dryshohet të ketë relacion. Por kjo kërkesë u hodh poshtë nga Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ilir Rusmali pasi sipas tij i takon Kuvendit të vendosë nëse për çdo ligj duhet të ketë relacion.

Edhe javën e kaluar opozita u largua nga Komisioni i Ligjeve ku diskutoheshin ndryshimet në ligjin për Inspektimin. Deputeti i PS-së Pandeli Majko ka kërkuar kthimin e ligjit por nuk është pranuar ndërkohë që maxhoranca ka nisur diskutimin nen për nen në komision e vetme.

Ardhja në Kuvend e pr/ligjit të hartuar nga Qeveria prek dhe modifikon mbi 70 ligje të tjera, gjë që përveç opozitës shqetësoi edhe deputetët e mazhorancës. Kështu më 4 shkurt Komisioni i Ligjeve vendosi të dalë kundër ekzekutivit e t’i propozojë seancës plenare që të kalojë nenet e p/ligjit si amendime të ligjeve përkatëse ekzistuese, pa krijuar një ligj të ri.

Në mbledhjen e 4 shkurtit  relatori Ilir Bano i Partisë Demokratike, pranoi se situata aktuale karakterizohet nga një mbivendosje kompetencash mes inspektoriateve. Sipas tij, p/ligji në fjalë synon të zgjidhë këtë problem dhe të rrisë efektivitetin përmes ndryshimit të metodologjisë së inspektimit dhe reduktimit të inspektoriateve nga 38 në 12 maksimumi.

(sg/shqiptarja.com)