Komisioni i Prokurimit Publik do të shqyrtojë ankesat e operatorëve për pavlefshmëri të kontratave të koncensionit, të cilat duhet të paraqiten brenda 6 muajve.

Pasi merr ankesën, KPP mund të marrë masa nga pezullimi i menjëhershëm i kontratës deri në shpalljen e pavlefshmërisë në rast se ka kushte që e lejojnë. Në rastet kur pezullimi cenon interesat e përgjithshme, KPP mund të lejojë zbatimin e kontratës.

Kur nuk shpallet pavlefshmëria e kontratës, masat alternative mund të jenë shkurtimi i kohëzgjatjes së saj dhe/ose gjobë ndaj autoritetit kontraktor.

Masa e gjobës nuk duhet të kalojë 10% të vlerës së kontratës, ndërsa vendimi i KPP mund të ankimohet në gjykatën përkatëse.

V E N D I M  PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR PAVLEFSHMËRINË E KONTRATAVE TË KONCESIONEVE DHE PARTNERITETIT PUBLIK PRIVAT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 72, të   ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Komisioni i Prokurimit Publik është organi kompetent për shqyrtimin e ankesave për pavlefshmërinë e kontratave të koncesionit dhe partneritetit publik privat.

2. Operatorët ekonomikë kanë të drejtë të paraqesin ankesë për shqyrtimin e pavlefshmërisë së kontratës te Komisioni i Prokurimit Publik. Në çdo rast, kjo ankesë duhet të paraqitet brenda 6 (gjashtë) muajve nga e nesërmja e datës së lidhjes së kontratës.

3. Komisioni i Prokurimit Publik, me marrjen e ankesës, me vendim të ndërmjetëm, vendos pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të kontratës deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. Komisioni i Prokurimit Publik mund të lejojë autoritetin ose entin kontraktor të vazhdojë zbatimin e kontratës, nëse pezullimi mund të cenojë çështjet thelbësore të interesit të përgjithshëm.

4. Komisioni i Prokurimit Publik mund të shpallë një kontratë absolutisht të pavlefshme, kur konstaton ekzistencën e kushteve të përcaktuara në pikën 1, të nenit 72, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.

5. Nëse pas shqyrtimit të të gjitha aspekteve përkatëse, Komisioni i Prokurimit Publik çmon se shpallja e pavlefshmërisë absolute të kontratës mund të cenojë çështjet thelbësore të interesit të përgjithshëm, vendos të mos e shpallë kontratën absolutisht të pavlefshme.

Për mosshpalljen absolutisht të pavlefshme të kontratës nuk konsiderohen çështje thelbësore të interesit të përgjithshëm interesat ekonomikë, të lidhur drejtpërdrejt me kontratën në fjalë, si:

a) kostot për shkak të vonesave në zbatimin e kontratës;

b) kostot për shkak të shpalljes së një procedure të re koncesioni apo partneriteti publik privat;

c) kostot për shkak të ndryshimit të operatorit ekonomik, që do të zbatojë kontratën;

ç) kostot për shkak të detyrimeve ligjore si pasojë e pavlefshmërisë.

6. Në përfundim të shqyrtimit të ankesës, në rastin kur nuk shpallet pavlefshmëria e kontratës, Komisioni i Prokurimit Publik vendos:

a) të shkurtojë afatin e zbatimit të kontratës;

b) dënimin me gjobë të autoritetit ose entit kontraktor për shkeljet e konstatuara, sipas këtij vendimi.

7. Gjoba vendoset në raport me vlerën e kontratës së nënshkruar, por, në çdo rast, jo më shumë se 10% e kësaj vlere.

8. Në vendosjen e masës së gjobës, Komisioni i Prokurimit Publik duhet të marrë në konsideratë disa elemente, si:

a) rrethanat në të cilat është kryer shkelja;

b) rëndësinë e shkeljes së kryer;

c) pasojat që kanë ardhur;

ç) proporcionalitetin midis dëmit të shkaktuar dhe masës së gjobës;

d) vlerën e përllogaritur të kontratës;

dh) parimet e koncesionit dhe partneritetit publik privat që janë shkelur;

e) përsëritjen e shkeljeve në raste të tjera.

9. Komisioni i Prokurimit Publik në vendim përcakton edhe afatin, brenda të cilit ky vendim duhet zbatuar.

10. Palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik në gjykatën përkatëse, që shqyrton mosmarrëveshjet administrative, sipas përcaktimit në nenin 66, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.

11. Ngarkohet Komisioni i Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi me hyrjen në fuqi të ligjit nr.88/2025, “Për koncensionet dhe partneritetin publik privat”.