Komisioni i sigurisë, Dogjani: Demi
mori urdhër të anulonte mbledhjen

Komisioni i sigurisë, Dogjani: Demi <br />mori urdhër të anulonte mbledhjen
Deputeti i Partisë Socialiste në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" ka komentuar situatën në Komisonin e Sigurisë,  do të shqyrtoheshin tre ankesat e gjeneralëve. Sipas Dogjanit, kryetari i komisionit ka marrë një urdhër nga drejtuesit e Kuvendit për të anuluar seancën, ku dilte skandali i shkarkimit të gjeneralëve nga ministri Imami. Dogjani e ka cilësuar shkarkimin e Shemsi Prençit si një ogur të zi për qeverinë Berisha.

Komisioni i Sigurisë ditën e premte anuloi mbledhjen për të shqyrtuar kërkesat e ardhura nga tre gjeneralët. Mbledhja u anulua pas një konusltimi që Leonard Demi pati me drejtorin juridik të Kuvendit.

Z.Dogjani, përse dështoi mbledhja e Komisionit të Sigurisë dy ditë më parë?
Për mendimin tim dështimi i kësaj mbledhje, anulimi nga ana e kryetarit nuk erdhi si rezultat i procedurave, por mendoj se ka ardhur si rezultat i një urdhri të dhënë nga ana e drejtuesve të këtij Parlamenti, të partisë në pushtet. Nga mënyra se si u shpreh kryetari i komisonit, i cili tha se unë jam konsultuar më parë me juristët, mendimi i komisionit nuk është se ndikon tek vendimet e gjykatave. Së dyti marrim një moment që ende nuk ishte konsultuar, u konsultua sot, mori një mendim nga drejtori i zyrës juridike që mendimi ndikon në vendimin e gjykatës. Nuk ndikon mendimi i komisionit të Sigurisë, kemi të bëjmë me një padi që kanë bërë gjeneralët, me një padi civile. Së treti, nëse mendimet tona do të ndikojnë në vendimet e gjykatave se çfarë ka ndodhur, ne kemi kryeministrin, i cili shpesh herë ka ushtruar presion përmes medias tek Prokurorja e Përgjithshme për 21 Janarin, për disa vendime të gjykatave, të Gjykatës së Lartë dhe në përgjithësi kur i ka interesuar është shprehur pozitiv ndaj gjyqësorit, dhe kur nuk i ka interesuar e ka sulmuar atë. Pra, është ushtruar presion i vazhdueshëm për ta mbajtur gjyqësorin nën presion. Nëse mendimi i Komisonit të Sigurisë do të ndikojë tek një vendim i gjykatës, atëherë çfarë do të themi për këtë presion që ka ushtruar kryeministri gjatë kësaj kohe. Do të thotë se vendimet e gjykatave apo hetimi që ka bërë Prokuroria e Përgjithshme për 21 janarin, janë nul nuk do të jetë hetim i mirë dhe kanë ushtruar presion e do të themi se vendimet e gjykatave janë ndikuar nga fjala e kryeministrit. Nuk jam absolutisht dakord me këtë. Një mendim i Komisionit të Sigurisë nuk mund të ndikojë. Gjyqtarët tanë janë të shkolluar për t'iu përgjigjur edhe presionit, ose për ta duruar për të mos u nënshtruar nga presioni i politikës. Nëse themi se një vendim i gjykatës do të ndikohet nga Komisioni i Sigurisë, atëherë do të thotë se ne kemi një gjyqësor, i cili është i varuar nga politika. Prandaj, e quaj absurd anullimin e kësaj mbledhje të komisionit përsa i përket një raporti që ne kishim ngritur prej një ekipi, për të mbikqyrur procedurën e shkarkimit të gjeneralëve nga një ankesë e tyre. Gjykata provat i merr në gjyq, nuk i merr nga gazetat apo mendimet e komisionit të sigurisë. Ne nuk ishim një komision hetimor, nuk kishim thirrur dje as gjeneralët, as ministrin, nuk po merrnim prova, nuk kishim kërkuar asnjë shkresë që mund të ndikojë ose mund të ishin provat që mund t'i merrte për bazë gjykata. Ky ishte një veprim i urdhëruar, që të anulohej mbledhja dhe të mos dilnin në media veprimet antiligjore të ministrisë së Mbrojtjes, për shkarkimin e këtyre gjeneralëve.

Mendoni se pas kësaj shtyrje do të ketë sërish një mbledhje tjetër për tre ushtarakët?
I kërkova kryetarit të komisionit të Sigurisë bazën ligjore, dhe kërkova që komisioni të merrte një informaicon me shkrim nga ana e drejtorisë juridike, se ku e ka bazuar në ligj për anulimin e mbledhjes së Komisionit të Sigurisë. Kisha parasysh që aty nuk ka një bazë ligjore. Edhe që nuk u bë, kjo nuk do të thotë të mos bëhet një ditë tjetër, dhe jam i sigurt se nuk ka asnjë lloj pengese ligjore për të zhvilluar Komisionin e Sigurisë një mbledhje sepse edhe pushtetet janë të ndara. Nuk mendoj që mund të bëhet, por dhe nëse bëhet ajo çfarë ishte për të dalë, media e morri vesh që qeveria, pushteti sot i druhet dhe ka frikë nga transparenca, ka frikë nga dalja në shesh e shkeljeve dhe abuzimeve. Imagjino sa abuzime mund të ketë sot në qeveri, ku opozita e ka të pamundur për t'i marrë për shkak të një bllokimi që i bëhet opozitës të marrë informacione. Kemi kërkuar të mbikqyrim edhe në ministnë e Brendshme ku kemi denoncuar në mënyrë të vazhdueshme, qoftë për problemin e tenderit të uniformave, për korrupsionin, për emërimet nepotike, për problemet e sigurisë të cilat janë bërë shumë gangrenë për qytetarët shqiptarë, për emërimet dhe shkarkimet pa kriter, apo për shkeljen e të drejtave të punonjësve të policisë nga ana e drejtuesve të tyre.

Pra, me kaq sa sqaruat mendoni se nuk do të ketë një komision të tillë?
Edhe po të bëhet apo të mos bëhet, qytetarët u informuan nga mediat, u informuan për mënyrën dhe procedurat e shkarkimit të gjeneralëve që sipas raportit dhe verifikimeve të bëra nga ana jonë ato shkarkime janë të padrejta dhe të kundraligjshme. Ju e keni marrë raportin dhe pak a shumë ato shkelje që janë konstatuar nga ekipi i kontrollit të kësaj procedure në ministrinë e Mbrojtjes mendoj se do i marrë vesh edhe publiku nëpërmjet medias.

Mos ndoshta u njoh të premten PD me shkeljet që ka bërë zoti Imami dhe është tërhequr kryetari i komisionit?
Nuk mendoj se ata janë njohur atë ditë, por dihet që të premten do u dilnin në shesh të palarat, sepse ato janë bërë të menduara. Por fakti që ata ose komuniteti do të informojë për procedurën e shkarkimit në mënyrë të paligjshme të këtyre gjeneralëve ka rritur atë frikën për t'u përballur me opinionin publik dhe mundohen të mos informohet publiku dhe opinioni, për mënyrën sesi veprohet dhe sesi emërohen në mënyrë arbitrare dhe abuzive në këto institucione.

Nëse nuk do të jepet mundësia për ta shqyrtuar këto kërkesa, çfarë rruge do të ndiqni për të shkuar drejtësia në vend?
Ne do të marrim të gjitha rrugët ligjore. Do të vazhdojmë të këmbëngulim në të drejtën tonë për ta bërë sa më publike, sa më transparente për opinionin, dhe në këtë mënyrë mendojmë që do të ndikojmë edhe tek instucioni i MB, apo në institucionet e tjera. Dhe këtë do ta bëjmë që në të ardhmen në një farë mënyre të kenë frikën e ligjit, jo të opozitës.

Kanë të drejtë gjeneralët, që mendojnë për një shkarkim të padrejtë?
Duke u nisur nga kjo, ne i bëjmë thirrje ushtarakëve brenda strukturave të FA, të cilët janë të prekur nga vendimet e kundërligjshme që të mos hezitojnë, të mos heshtin, por të reagojnë për të drejtat e tyre. Kam besim tek ushtarakët, të cilët nuk do të bihen pre e këtyre mashtrimeve, ashtu sikurse bëri dhe Drejtori i Policisë së Dibrës, që megjithëse është kërcënuar, nuk është ndalur, por reagoi dhe informoi opinionin publik për mafien e mineraleve. Edhe brenda ministrisë së Brendshme mendoj se ka shumë ushtarakë, drejtues të ministrisë, specialistë të cilët janë larguar dhe rrinë në hije. Fenomeni i Drejtorit të Policisë së Dibrës, mund të jetë një fenomen i shtrirë në strukturat e minisrisë së Brendshme, dhe këtu i bëjë thirrje ushtarakëve në FA, por dhe në Policinë e Shtetit që të marrin kurajë e të denoncojnë të gjitha manipulimet, abuzimet me stukturën, largimet apo lëvizjet në mënyrë të padrejtë. Rasti i Dibrës është një rast që unë do e ngre në Komisonin e Sigurisë, pasi të largohet një drejtor i Policisë, se ai donte të zbatonte ligjin, të ndalonte siç u shpreh ai, mafian, shfrytëzimin e punëtorëve dhe fëmijëve. Është një mafie që po shfrytëzon edhe fëmijët. Pa hyrë në monopolin që, sipas ish-drejtorit të Dibrës, u largua pas kërcënimit të këtyre monopoleve dhe goditjes së kësaj mafie.

Pas dorëheqjes së anëtarit të Kushtetueses, vjen një tjetër shkarkim. Si e shihni?
Qeveria është kapur nga krimi, e kam thënë edhe më përpara që në Policinë e Shtetit apo institucione të tjera janë mbushur me militantë partie, ka raste dhe me persona me precedent penal. Po e mbajnë dhe e përdorin pushtetin për interesat e tyre, janë futur në garë kush të vjedhë e pasurohet më shpejt.

A është një alarm për keqqeverisjen?
Një alarm për shoqërinë civile, qeverinë dhe për të gjithë popullin që duhet të reagojë.

Jemi vënë në dijeni për një incident që ka ndodhur në Aeroportin e Rinasit për kalimin e shtetasve kosovarë të pajisur jashtë ligjit me pasaporta shqiptare. Si e shihni këtë bashkëpunim me policinë aty?
Është zbuluar një skandal në Rinas që kanë implikuar punonjësit e policisë së aeroportit dhe ne jemi informuar nëpërmjet medias për një trafik lëndësh narkotike drejt BE-së. Kthimi i disa personave ka bërë që nga ana e SHKB të ushtrohet kontoll dhe kanë dalë me rezultat që shumë punonjës policie janë të implikuar me këtë lloj trafiku. Kjo tregon që vendosja në struktura emërimet politike, joprofesionale, persona me një të shkuar jo të mirë, shkojnë në këto vende për tu pasuruar dhe jo për të punuar. Nuk mund të them se çfarë shtetasish kanë qenë se, nëse një shtetas kosovar ka marrë një pasaportë në mënyrë krejt të ligjshme ai ka të drejtë të lëvizë, por në rast se është paisur në mënyrë të kundraligjshme kemi të bëjmë me vepër penale dhe përgjegjësia kryesore bie mbi punonjësit e shtetit, etj. Më e keqja është se disa punonjës policie largohen si të implikuar nga Rinasi dhe emërohen në detyra më të larta.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori