Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Dera e Shenjtë e Vatikanit

Një nga figurat më simbolike të çdo Jubileu, është ajo e Papës që kalon pragun e Derës së Shenjtë. Pamje e rrënjosur, me rrënjë të thella në mesjetë. Shtegtari i parë që kapërcen pragun, është gjithnjë ipeshkvi i Romës.

Sipas përshkrimit të bërë në vitin 1450 prej Giovanni Rucellai-t nga Viterbo, Derën Shenjte në vitin 1423 e hapi për herë të parë në historinë e viteve jubilare, Papa Martini V. Me atë rast sfondi ishte ai i Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran. Në Bazilikën e Vatikanit dëshmohet për herë të parë hapja e Derës së Shenjtë në Krishtlindjet e vitit 1499. Papa Aleksandri VI dëshironte që të hapej jo vetëm në Shën Gjonin e Lateranit, por edhe në bazilikat e tjera romake.

Hapja e Derës Shenjte

Hapja e Derës Shenjte nga Papa shënon fillimin e Jubileut. Viti Shenjt 2025, që është duke u hapur, përfshin, pas këtij riti, kremtimin e Meshës së Shenjtë natën e Lindjes së Zotit, brenda Bazilikës së Vatikanit. Muri, që vulos derën në anën e brendshme është çmontuar ditët e fundit dhe i është hequr kutia metalike, e cila përmbante çelësin që lejon të hapet dera. Papa i shtyn dyert në mënyrë simbolike mbasi, për arsye sigurie, është braktisur përdorimi i çekiçit me të cilin goditej diafragma me tulla, që dikur mbyllte anën e jashtme të Bazilikës. Pas ritit të kryesuar nga Papa, Dera mbetet e hapur gjatë gjithë vitit për të lejuar kalimin e shtegtarëve. Me këtë gjest, mund të fitohet plotësisht falja e mëkateve, që lidhet me Vitin Shenjt. Ta kapërcesh këtë prag, do të thotë edhe se udha jote e pendesës vuloset nga takimi me Krishtin, "Dera" që na bashkon me Atin. Jubilejtë janë pjesë e një historie të thellë feje, që i hap dyert e veta mbi botën. E sidomos shtegtim, në të cilin hapat e Papës shkrihen me ato të popullit të Zotit, gjatë ecjes nëpër shtigjet e faljes. Por, t’i ndjekim simbolikisht Vitet Shenjte të shekullit të 20-të dhe të mijëvjeçarit të tretë.

Jubileu i vitit 1900

Të fitosh sfidën e modernizimit. Ishte ky, një nga synimet kryesore të Jubileut të vitit 1900. 24 dhjetori 1899 është dita e hapjes së Derës së Shenjtë. Që në orët e hershme të mëngjesit, shkruan Osservatore Romano në botimin e Krishtlindjes, "një gjallëri e pazakontë" mund të soditej nga çdo pjesë e qytetit. Karroca madhështore kardinajsh, diplomatësh dhe princash drejtohen "drejt Tempullit më të madh të krishterimit". Shumë  shtegtarë vijnë edhe në këmbë ose me mjete "omnibus" për shërbimin publik. Spektakli bëhet "mbresëlënës" për shkak të fluksit të karrocave që vijnë nga fshatrat, për t’u ndaluar përballë Bazilikës". Papa Leoni XIII "i pari e i vetëm" kalon Derën dhe hyn në Bazilikë. Pasi përfundon kremtimi, hapen dyert, duke lejuar hyrjen e besimtarëve. Një përrua njerëzor!

Viti i Shenjtë 1925

Më 24 dhjetor 1924, në prag të Krishtlindjes “hapet, me duart e Piut XI, Dera Shenjte e Bazilikës së Vatikanit. Në kremtimin solemn, shkruan e përditshmja e Selisë së Shenjtë, u vendos froni papnor para tribunave të sovranëve. Ndërsa në fund të portikut, kori i kapelës muzikore papnore. Përballë shtatores së Konstandinit, para se të hyjë në portikun e Bazilikës, Papa ulet në karrigen gjestatore dhe, duke marrë çekiçin e dhuruar nga ipeshkvia e botës katolike, godet tri herë Derën Shenjte duke shqiptuar fjalët rituale. Më pas kalon pragun, e nis Jubileu.  

Jubileu i vitit 1933

Një jubile i jashtëzakonshëm u shpall edhe për të kremtuar 1900-vjetorin e vdekjes së Jezusit. Për Vitin Shenjt 1933, në Romë arritën mbi dy milionë shtegtarë. Më 3 prill të atij viti, hapja e Portës Shenjte shënoi fillimin e Jubileut të Shëlbimit. Gjatë gjithë ditës, kujton L'Osservatore Romano, "dyndja në Shën Pjetër, në Shën Gjon, në Shën Pal, në Shën Marinë e Madhe ishte tejet e jashtëzakonshme". Pak orë pas kremtimit fillestar, Piu XI priti, në një audiencë të veçantë, 500 shtegtarë nga kryeipeshkvnia e Milanos, ardhur në Romë për të parë hapjen e Derës së Shenjtë. Ai shtegtim i parë i Vitit Shenjt, kujton gazeta e Vatikanit, përfshinte "përfaqësime të veprimtarive më të ndryshme të punës", si punëtorët e hekurudhave, punonjësit e zyrës, elektricistët...

Viti Shenjt 1950

Është data 24 dhjetor 1949. Bota e krishterë, siç e titullon L'Osservatore Romano në faqen e parë ditën e Krishtlindjes, "gëzohet për dhuratën e jashtëzakonshme të hirit": Piu XII hap Derën Shenjte me tri goditje çekiçi. Papa është i veshur me një mantel të madh të bardhë mëndafshi, me këmishë, stolë dhe mitër të bardhë. I paraprirë nga Kolegji i Shenjtë, fillimisht shkon në Kapelën Sikstine për adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament. Më pas intonon himnin “Veni Creator” dhe zbret, nëpër Scala Regia, te shtatorja e Kostandinit.

Më pas Piu XII hyn në portikun e Bazilikës dhe merr çekiçin. Për herë të parë godet Derën e Shenjtë duke kënduar vargun: “Aperite mihi portas Justitiae”(M’i hapni dyert e drejtësisë). Pastaj Papa godet për herë të dytë derën, duke kënduar "Introibo in domum tuam, Domine"(Do të hyj në shtëpinë tënde, o Zot). Goditja e mëpasshme e çekiçit shoqërohet me fjalët: "Aperite portas quoniam nobiscum est Deus"(Hapini portat se Zoti është me ne). Pas kësaj goditjeje të tretë, muri i Derës së Shenjtë bie. Papa, i cili mban një qiri në dorën e majtë, simbol i besimit dhe i bamirësisë, përparon me kokën e zbuluar dhe intonon "Te Deum". Papa Pacelli shkel i pari pragun. Është ora 10.55 e hapet Jubileu.

Jubileu i 1975-sës

Viti Shenjt 1975 i kushtohet pajtimit. Riti i hapjes së Derës Shenjte,  Natën e Krishtlindjes 1974, nis me hyrjen e Papës Pali VI, paraprirë nga kleri shërbyes në atriumin e Bazilikës. Pas këngës drejtuar Shpirtit Shenjt, kujton Osservatore Romano që e ndiqte atë ditë, Papa i afrohet Derës së Shenjtë. Kardinali-kryetar i Pendestarisë i dorëzon çekiçin. Pali VI troket tri herë në Derë dhe këndon, njëheresh me asamblenë, versetet që nisin me fjalët: "M’i hapni dyert e drejtësisë!".

Viti i Shenjtë 1983

Në vitin 1983 u kremtua Jubileu i Shëlbimit, urë drejt mijëvjeçarit të tretë. Gjon Pali II i bën thirrje katolicizmit ta kremtojë këtë Vit Shenjt për të përkujtuar ngjarjen e vdekjes dhe ringjalljes së Zotit.

Jubileu i Vitit 2000

Natën e Krishtlindjes, 24 dhjetor 1999, Gjon Pali II, me një mantel ngjyrash të ylberta, i quajtur ‘piviale’, hap portën e Jubileut të Madh të vitit 2000. Në heshtjen e gjatë, që shoqëron gjestet e Papës, përmblidhet  historia e dy mijëvjeçarëve. Papa Wojtyła hap Vitin e Shenjtë në gjunjë, me duart e kapura fort pas Kryqit. Është agu i mijëvjeçarit të tretë.

Viti i Shenjtë 2015

Hapja e Jubileut të Jashtëzakonshëm të Mëshirës në vitin 2015, në 50-vjetorin e përfundimit të Koncilit II të Vatikanit, lidhet me dy data: me 29 nëntor, dita në të cilën Papa Françesku hapi derën shenjte të Katedrales Notre-Dame të Bangui, me rastin e udhëtimit të tij apostolik në Afrikë dhe me 8 dhjetor.

Viti Jubilar 2025

Jubileu është dhuratë hiri. Viti i Shenjtë i 2025-ës, që po hapet, është në vazhdimësi me këto kohë të veçanta hiri, origjina e të cilave lidhet me vitin 1300 dhe me Papninë e Bonifacit VIII. “Tani - nënvizon Papa Françesku në Bulen e shpalljes së Vitit Jubilar 2025 “Spes non confundit” - “Shpresa nuk zhgënjen” - ka ardhur koha për një Jubile të ri, në të cilin të hapet sërish Dera e Shenjtë për të dhuruar përvojën e gjallë të dashurisë së Zotit, që ngjall ndër zemra shpresën e sigurt të shëlbimit në Krishtin”/ Vatikannews/

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka