TIRANE - Komisioni i Sigurisë  do të dëgjojë sot propozimet e Ministrisë së Financave, Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, DSIK-në dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit,
mbi projektligjin “Për kontrollin parlamentar mbi Shërbimet informative dhe të Sigurisë”.


Dje Komisioni i Sigurisë shqyrtoi dje propozimet e Ministrisë së Mbrojtjes, së Inovacionit dhe Avokatit të Popullit lidhur me pr/ligjin për mbikqyrjen parlamentare ndaj institucioneve të inteligjencës në vend. Debati mes drejtorit të Ministrisë së Mbrojtjes, Kristo Binjaku dhe opozitës u përqëndrua në kompetencën e nënkomisionit hetimor që do të mbikqyrë institucionet e inteligjencës përsa i përket hetimit të fondeve.

“Referuar dispozitave kushtetuese, institucioni më i lartë për kontrollin ekonomik dhe financiar është Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili kontrollon veprimtarinë ekonomike të institucioneve si dhe përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qëndror dhe vendorë.

Ligji për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes përmban parashikime të veçanta për veprimtarinë e kësaj agjencie. Përdorimi i fondeve për veprimtari specifike rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave”, tha përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes.

Kjo ministri del kundër idesë që nënkomisioni i posaçëm për mbikëqyrjen e shërbimeve të vihet në lëvizje nga individët kombëtarë. Prandaj sugjerohet heqja e kësaj shprehjeje në nenin 14 të draftit. Gjithashtu propozime pati edhe nga Ministria e Inovacionit.

GJONI DHE BIZHGA


Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni tha se nuk mund të jetë Këshilli i Ministrave ai që duhet të japë vendim se çfarë do të kontrollojë ky nënkomision. “Ju jeni jurist dhe e dini se kjo nuk është kompetencë e ekzekutivit për të përcaktuar se çfarë duhet të kontrollojë legjislativi.

Ne po miratojmë një ligj që është i detyrueshëm për tu zbatuar nga ekzekutivi në momentin kur miratohet nga një shumicë në seancë plenare. Ju nuk mund të dilni me atë argument dhe të na thoni se do të përcaktojmë me VKM se çfarë do të kontollni ju”, tha Gjoni.

Ndërkohë që deputeti, Gazmir Bizhga ngriti shqetësimin se Agjencia e Inteligjencës së Mbrotjes ka tre vite pa raportuar, duke theksuar se ligjet nuk do të bëhen për interesat e kryeministrave. “Agjencia e inteligjencës së Mbrojtjes ka një detyrim vjetor për të raportuar. Ka tre vite që ky shërbim nuk ka raportuar në Komisionin e Sigurisë, unë do të dija ky shërbim do të raportojë në këtë komision apo jo brenda këtij mandati?

Së dyti përsa i përket mbikqyrjes financiare për fonde të veçanta, që kanë të bëjnë me shërbime specifike punonjësit e lartë të shërbimit shtetëror, punonjësit e këtij shërbimi apo një njerëzit që do të kenë akses janë më pak patriotë se ata 5 deputetë të nënkomisionit të sigurisë, apo janë më pak të përgjegjshëm këta deputetë se punonjësit, ku dihet se ata do të nënshkruajnë një marrëveshje.

Ky ligj nuk bëhet për të mbrojtur interesat e kryeministrit të radhës. Ajo çfarë kemi kërkuar është që agjencitë tona të inteligjencës të mos keqëpërdoren nga mazhoranca e radhës”, tha Bizhga.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)