Komisioni i Reformës Territoriale ka thirrur zyrtarisht kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, për dëgjesën e qarkut që do të bëhet më datë 30 qershor. Bashkëkryetari i komisionit, Arbjan Mazniku, tha se pasi dërgohet ftesa zyrtare, masat duhet t’i marrë bashkia për të siguruar praninë e kryetarit.

“Ne kemi caktuar një standard. Nuk kemi dëgjuar nënkryetarët, edhe kur kanë qenë të deleguar me porosi. Ftesën ia çojmë institucionit dhe institucioni duhet të marrë masat përkatëse që të përfaqësohet nga personi që ka tagrin për të qenë kryetar i zgjedhur i bashkisë. Kemi çuar kërkesën në mënyrë specifike”, u shpreh ai.

Ndërkohë, burime për Report Tv sqarojnë se shkresa e Komisioni ka mbërritur në bashki dhe kjo e fundit në përgjigjen e kthyer thotë se për shkak të kushteve të izolimit të Veliajt, komisioni duhet t'i drejtohet me shkresë drejtpërdrejt Burgjeve dhe SPAK për të marrë leje. 

Ndërkohë, mbetet për t’u caktuar vetëm vendi ku do të mbahet dëgjesa.

"Dëgjesa e qarkut Tiranë do të bëhet më datë 30. Jemi duke diskutuar akoma bashkë me bashkëkryetarin për vendin dhe orën, por ora do të jetë besoj tipike, 5 ose 6. Po diskutojmë për një vend të përshtatshëm që të jetë mjaftueshëm i madh për një dëgjesë të këtij niveli dhe i përshtatshëm për të gjithë palët”, shpjegoi Mazniku.

Tirana, si bashkia më e madhe dhe kryesore e Shqipërisë, është një nga dëgjesat më me interes dhe të rëndësishme. Mbetet ende për t’u parë nëse institucionet do të garantojnë praninë e kryebashkiakut Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim.