Luftën e brendshme që ka shpërthyer në Partinë Socialiste, kreu i PD-së Sali Berisha e komentoi nga zyra e tij në një bashkëbisedim online me qytetarët, edhe pse ata që e ndoqën në Facebook, ishin të paktë.

Për Elisa Spiropalin të përjashtuar nga forumet e PS-së dhe në një përplasje të hapur me Belinda Ballukun, thotë se u ndëshkua me hetim për evazion ndaj bizneseve familjare, pasi i doli kundër Ramës.

“Regjistrimi i veprave penale, i problemeve të saj dhe bashkëshortit të saj, në një kohë kur ajo ka marrë, të themi një rrugë kundërshtie, të paktën me fjalë, të qëndrimeve të Edi Ramës dhe partisë së krimit, dëshmon për përdorimin si armë politike të SPAK-ut të partisë”, tha Berisha.

Erion Veliajt, të shkarkuar nga drejtimi i PS-së së Tiranës, dhe tashmë me pozita të kushtëzuara edhe në bashki, i kërkon se nëse do të kontribuojë në një fron opozitar ku ai ka ftuar dhe partitë e vogla:

“T'u thotë shqiptarëve gjithçka di për Edi Ramën, sepse sado që të ketë bërë vetë…unë nuk mund të them se Erion Veliaj sot në qeli është rrezik ekzistencial për Shqipërinë. Çfarë ka në dorë Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali? Ata dinë shumë më tepër se të tjerët për korrupsionin e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut. Ata duhet të përpiqen të bëjnë sa më shumë njerëz me vete nga ata deputetë”, tha Berisha.

Me partitë e tjera opozitare të cilat I fton në Bashkim, pranon se nuk ka nisur negociata, por i lë hapësirë për kandidatë jo të PD-së, vetëm në disa zona.

“Partia Demokratike është e hapur ndaj të gjitha forcave të tjera politike që e konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe për kandidatë të përbashkët, për zona të veçanta”, tha Berisha.

Takimin e kryeministrit të premten në mbrëmje me një përfaqësi të studentëve për protestën e komenton kështu:

“Një akt përsëritje, një akt të diktatorit Ramiz Alia, por në mënyrën më të shëmtuar.  Diktatori Ramiz Alia me datën 11 dhjetor priti në pallatin presidencial përfaqësinë e studentëve. Priti ata studentë dhe pedagogë që zgjodhën vetë studentët haptas, publikisht para shqiptarëve.  Nuk priti studentë klandestinë siç bën ky shpirt-katran”, u shpreh kryedemokrati.