Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi projektligjin "Për disa ndryshime në ligjin nr.8116, datë 29.3.1996 "Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë" të ndryshuar, propozuar nga deputetja Majlinda Bregu, projektligjin "Për një shtesë në ligjin nr.7850, datë 29.7.1994 "Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë" të ndryshuar, propozuar nga deputetja Majlinda Bregu dhe miratoi në tërësi projektligjin "Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë".
Gjatë shqyrtimit të dy projektligjeve të para, nismëtarja Majlinda Bregu theksoi se i qëndron propozimeve të saj dhe do të mirëpresë zgjerimin që do t'i bëhet nismës së saj ligjore kundër komenteve fyese në mediat elektronike.
"Duke ndarë këtë parim se cili nga ne dhe çdo individ ka të drejtë që të respektohet dhe kjo është e dejtë e njeriut, të mos i cenohet reputacioni dhe dinjiteti, vazhdoj t'i qëndroj propozimit tim. E thënë ndryshe dhe qartë, nuk tërhiqem, por mirëkuptoj sugjerimin për të marrë kohë dhe për ta diskutuar. Ndoshta jo për ndryshimet në Kodin Civil, pavarësisht se Kodi Civil sot i ka të përcaktuar qartë rastet se kur drejtohesh në gjykatë në rastet e fyerjes dhe të kërcënimit, por ndoshta me një ligj tjetër i cili të rregullojë dhe përgjegjësinë e autoriteteve që merren me komunikimin online, e përsëris, të faqeve dhe të portaleve të mediave elektronike. Për këto ishte qëllimi im kryesor. Nuk di nëse në ligjin që mund të hartohet më vonë do të ketë zgjerim", tha Bregu.
Relatorja e dy projektligjeve, deputetja e PS, Vasilika Hysi theksoi se duhet më shumë kohë për marrë një vendim. "Besoj se nga muaji qershor, Komisioni Evropian kundër racizmit dhe intolerancës do t'i përcjell Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës një rekomandim për të detyruar mediat të vetërregullohen por njëkohësisht për të gjetur instrumete në ligje civile që mediat të pastrohen nga gjuha e urrejtjes, nga racizmi dhe nga shprehjet denigruese ndaj grupeve të caktuara sociale, jo vetëm minoritete por edhe grupime të tjera që janë më të dobëta në një shoqëri. Për derisa do të ketë dhe nj rekomandim të tillë, ndërkohë që edhe BE po punon në këtë fushë nëpërmjet Agjencisë që merret me mbrojtjen e të drejtave në fushën e mosdiskriminimit, mendoj që edhe me mirëkuptimin e znj. Bregu do të doja ta dëgjoja dhe mendimin e koleges time, kjo nismë mos ti shkonte Kuvendit, pra për miratim, të merrnim kohën e duhur dhe t'i kërkonim ndihmë medias dhe ekspertëve që të bënin një rregullin sa më të mirë pa cenuar lirinë e shprehjes", tha Hysi.
Kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, theksoi në fjalën e tij se është në mbështetje të plotë të kërkesës së deputetes Majlinda Bregu duke vlerësuar angazhimin e saj në procesin ligj-hartues. Xhafaj tha më tej se duhet më shumë kohë për të bërë një shqyrtim të plotë të nismave.
"Unë bëj pjesë tek ata deputetë dhe politikanë që vlerësoj maksimalisht angazhimin e çdo deputeti në rolin e tij aktiv si ligjvënës. Kjo është një bindje e palëkundur sepse mendoj se Parlamenti ka gjithmonë e më shumë nevojë për njerëz me rol aktiv dhe jo për kartona, apo thjesht për të numëruar votat e radhës në Parlament. Çdo iniciativë që vjen nga deputetët ka një vlerë të dyfishtë, jo vetëm sepse synon të rregullojë një marrëdhënie të caktuar, por sepse i jep një dimension tjetër çdo deputeti apo grup deputetësh në Parlamentin shqiptar dhe ne kemi nevojë për qasje të kësaj natyre. Kjo është arsyeja pse personalisht kam mbështetur në vijimësi gjatë kësaj detyre që ushtroj në cilësinë e Kryetarit të këtij komisioni, ushtrimin e kësaj të drejte kushtetuese nga ana e deputetëve të këtij komisioni dhe çdo deputeti tjetër të parlamentit shqiptar dhe në këtë sens, unë mendoj se znj. Bregu ashtu dhe si shumë kolegë të tjerë që kanë pasur dëshirën, pasionin dhe përgjegjshmërinë ta bëjnë këtë gjë, duhen vlerësuar dhe duhen mbështetur. Kështu që në këtë kontekst mendoj se kemi bërë një gjë shumë të mirë. E para nga ana e znj. Bregu që ka ardhur kjo iniciativë. Së dyti nga fakti që ne e kemi trajtuar me shumë kujdes, me shumë përgjegjshmëri, dhe në këtë kontekst do të dëshiroja ta falënderoja znj. Hysin si relatore për durimin, për angazhimin, për përkushtimin por edhe për qetësinë me të cilën e ka trajtuar edhe në tryezat që janë zhvilluar së bashku me znj. Bregu duke organizuar dy tryeza shuam të rëndësishme. Ky fakt është i mjaftueshëm për ne që të tregojmë më shumë durim për ta trajtuar në ditët në vijim të dy projektet", tha Xhafaj.
Në lidhje me propozimin e dytë të znj. Bregut, Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut theksoi se edhe për këtë nismë duhet më shumë kohë për të gjetur një zgjidhje.
"Përsa i përket ndryshimeve që kërkon në Kodin e Procedurës Civile, unë personalisht i përkas bindjes se me pak kujdes mund të gjendet një zgjidhje. Shumë shpejt ai mund të kaloj dhe duhet të kaloj. Por duhet të gjetur një zgjidhje që ne të jemi të kujdesshme me kuadrin ligjor, sidomos me rregullimet që ka Kodi i Procedues Civile dhe Kodi i Familjes", tha Xhafaj.
Deputetët vendosën më pas për të shtyrë shqyrtimin e dy projektligjeve dhe votuan në tërësi "Kodin e Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë"
/atsh/