TIRANË, 2 Shkurt/ATSH-Arbi Fortuzi/-.Në ambientet e Kryesisë së Kuvendit u zhvillua sot pasdite mbledhja e parë e Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë, që do të punojë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë. Në këtë grup kanë dërguar ekspertët e tyre institucionet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë në vend dhe strukturat ndërkombëtare që japin ndihmën e tyre në këtë fushë.
Në Grupin e Ekspertëve të Nivelit të Lartë bëjnë pjesë përfaqësues të Gjykatës së Lartë, Prokurorisë së Përgjithshme, Shkollës së Magjistraturës, Universitetit të Tiranës, Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Misionit të BE Euralius IV, Misionit OPDAT të Departamentit të Drejtësisë së SHBA, Prezencës së OSBE në Tiranë dhe USAID.
Ndërkohë, pritet që në ditët në vijim pranë këtij grupi të atashohen dhe përfaqësuesit e Komisionit të Venecias. Në fjalën e tij, kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, pas prezantimit të ekspertëve, i njohu ata me veprimtarinë e deritanishme të punës së Komisionit të Posaçëm.
Duke vënë theksin në nevojën që kjo reformë ka për t' u identifikuar jo vetëm me vullnetin politik të Kuvendit, por në mënyrë të veçantë me kontributin e këtij grupi ekspertësh, Xhafaj u shpreh se produkti i punës së tyre nuk do të ndikohet në asnjë moment nga interesat politike.
Pjesëmarrja e ekspertëve në diskutimin e analizës së sistemit të drejtësisë, që tashmë është përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, do të jetë një element i një qasje gjithëpërfshirëse që do te sigurojë hartimin e një dokumenti strategjik objektivash për t' u arritur nga kjo reformë.Çdo produkt i punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar, në formën e projektligjeve dhe ndryshimeve eventuale kushtetuese, do të jetë materializim i kontributeve të ekspertëve të këtij grupi, tha Xhafaj.
Kryetari i Komisioni të Posaçëm Parlamentar dhe anëtarë të tjerë të tij, vunë theksin në nevojën e përfshirjes së grupit të ekspertëve në të gjitha fushat e veprimtarisë së këtij Komisioni, sikundër është parashikuar dhe në vendimin përkatës të Kuvendit për ngritjen e tij. Kështu, ekspertiza e grupit të ekspertëve pritet të fokusohet në çështje të tilla si reformimi i Gjykatës Kushtetuese, sistemit gjyqësor, drejtësisë penale, arsimit juridik, profesioneve të lira etj. /a.ke/