Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka bërë me dije në Komisionin për Bujqësinë, Zhvillimin Rural dhe Ushqimin se mbi 800 projekte kanë aplikuar pranë AZHBR-së, me grant 50%.
“Kemi edhe dy masa në paketën e parë të investimeve me grant 50%, ku mbi 800 projekte janë kaluar në aplikim pranë AZHBR-së, me një buxhet afërsisht 3 miliardë lekë. Disa projekte po vazhdojnë të rishikohen, në mënyrë që të kalojmë në mbështetjen e drejtpërdrejtë të të gjitha këtyre aplikimeve që janë bërë pranë AZHBR-së për investime dhe mbështetje në të gjithë sektorët që kanë aplikuar, rreth mbi 801 projekte”, tha Salla.
Salla bëri me dije se shumë shpejt do të dalë lista e përfituesve të aplikimeve. Përmes saj, edhe ata që s’do të jenë përfitues do të kalojnë nëpërmjet skemës së re.
“Unë mund të them që ne këtu jemi duke rishikuar dhe shumë shpejt do të dalim me listën e re të përfituesve të të gjitha këtyre aplikimeve nëpërmjet AZHBR-së. Ajo do të dalë zyrtarisht për pak ditë, në mënyrë që të gjithë ata që kanë aplikuar, si edhe ata që nuk do të jenë përfitues, të kalojnë nëpërmjet skemës së re, për të cilën ne shumë shpejt do të dalim me masat e reja, duke i diskutuar edhe njëherë me dëgjesat që kemi kryer me fermerët tanë në të gjithë territorin e Shqipërisë”, tha Salla.
Skema e re kombëtare për fermerët nuk është ende gati, por Salla tha se pritet që javën e ardhshme të dalë një rezultat përfundimtar lidhur me të.
Komente












