Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka bërë një vizitë në Bradashesh të Elbasanit në një sipërmarrje që merret me grumbullimin dhe tregtimin e bimëve medicinale shqiptare, duke bashkëpunuar me rreth 400 fermerë nga e gjithë Shqipëria dhe duke eksportuar rreth 400 tonë produkte në vit, kryesisht drejt tregjeve europiane.
Në fokus të bashkëbisedimit ishte mbështetja financiare për zgjerimin e aktivitetit, investimet në makineri dhe teknologji të reja, si dhe përfitimet e fermerëve nga skema e kompensimit 10% të faturave të shitjes.
Ai prezantoi mundësitë e financimit përmes Kredisë së Butë me Garancinë Sovrane, në mbështetje të investimeve dhe zgjerimit të aktivitetit të bizneseve shqiptare.
“Pikërisht biznesin që ju keni e mbulon shumë mirë për makineritë dhe ju dyfishoni të gjithë sipërmarrjen tuaj. Është deri në një shumë prej 2 milionë eurosh, me një garanci të shtetit, me një përqindje 2 deri në 3%”, u shpreh Ministri Salla.
Ministri theksoi gjithashtu se institucionet janë në dispozicion të sipërmarrjeve për t'i orientuar dhe asistuar gjatë procesit të aplikimit.
“Nëse do t'ju duhet ndihmë, ne jemi të gatshëm t'ju asistojmë për të gjitha procedurat që nevojiten, në mënyrë që të mos keni problematika në dokumentacion apo në procedurat që do të ndiqen për të përfituar nga Garancia Sovrane”, tha Salla.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte kompensimi 10% i faturave të shitjes për fermerët që furnizojnë sipërmarrjen me bimë medicinale. Ministri Salla vlerësoi bashkëpunimin me fermerët dhe praktikën e lëshimit të autofaturave, e cila u mundëson atyre të përfitojnë nga mbështetja shtetërore.
“Përveç pagesës që kryeni ju, edhe shteti jep 10% për çdo faturë. Kjo ka rëndësi, sepse deri tani, sipas të dhënave të tatimeve, ka kaluar 14 milionë euro në gjashtëmujorin e parë”, u shpreh Ministri.
Nga ana e tij, administratori i sipërmarrjes konfirmoi interesin për zgjerimin e aktivitetit dhe përfitimet që kompensimi 10% u ka sjellë fermerëve bashkëpunëtorë, duke theksuar se kjo mbështetje i nxit ata të rrisin prodhimin dhe të vijojnë furnizimin e sipërmarrjes me lëndë të parë.
Në përfundim të vizitës, Ministri Salla ritheksoi angazhimin për të mbështetur sipërmarrjet që investojnë në përpunimin dhe eksportin e produkteve shqiptare, duke krijuar njëkohësisht më shumë mundësi ekonomike për fermerët.
“Duam që ju të punoni dhe ta dyfishoni punën tuaj, së bashku me 400 fermerët që keni në të gjithë Shqipërinë”, përfundoi Ministri Salla.









Komente
Komento