Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi te marten projektligjin "Për shërbimin postar në Republikën e Shqipërisë".
Projektligji, "Per shërbimet postare në Republikën e Shqipërisë" është propozim i Ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, si ministër përgjegjës për sektorin postar dhe është hartuar në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës dhe nenit 7, të ligjit nr.8530, datë 23.9.1999, "Për shërbimin postar në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.
Ky projektligj i ri për shërbimin postar synon të përcaktojë rregullat për ofrimin dhe sigurimin e shërbimeve postare, rregullat për sigurimin dhe financimin e shërbimit universal postar në një treg konkurrues dhe kushtet për akses në rrjetin postar në Republikën e Shqipërisë. Projektligji përcakton institucionet përgjegjëse për rregullimin e sektorit postar, si dhe të drejtat dhe detyrimet e ofruesve/operatorëve dhe përdoruesve të shërbimeve postare, në harmoni me acquis të BE-së.
Gjithashtu, projektligji përcakton si qëllim sigurimin e ofrimit të shërbimit universal postar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, mbrojtjen e interesave të përdoruesve dhe sigurimin e trajtimit të barabartë të tyre. Nxitja e konkurrencës së lirë dhe efektive përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së shërbimit janë, gjithashtu, pjesë e rregullimeve me këtë ligj.
Sipas relatorëve, projektligji vjen si nevojë e përditësimit të legjislacionit ekzistues për shërbimin postar, si dhe për hapjen e mëtejshme të tregut postar për konkurrencë, në përputhje me acquis të BE-së për shërbimin postar.
Pas diskutimeve anëtarët e komisionit kanë vijuar me miratimin nen për nen të projektligjit./atsh/