Një turist indian humbi jetën dhe dy persona të tjerë mbetën të plagosur pasi dy helikopterë u përplasën me njëri-tjetrin gjatë përpjekjes për t’u ulur pranë malit Everest, në Nepal.
Aksidenti ndodhi në fshatin Feriche, në distriktin Solukhumbu, në një lartësi prej rreth 4,200 metrash mbi nivelin e detit. Zona shërben si një pikë e rëndësishme pushimi për alpinistët dhe turistët që udhëtojnë drejt Everestit.
Sipas autoriteteve lokale, viktima ishte një shtetas indian 47-vjeçar. Ndërkohë, dy të plagosurit janë një turist nga Zelanda e Re dhe piloti nepalez i njërit prej helikopterëve.
Turisti nga Zelanda e Re u transportua me avion drejt kryeqytetit Katmandu për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, ndërsa piloti mori ndihmën e parë në vendngjarje.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin e përplasjes së dy helikopterëve, pranë një grupi njerëzish që ndodheshin në zonë.
Ende nuk dihet numri i saktë i personave që ndodheshin në bord të dy mjeteve fluturuese, të cilat po transportonin alpinistë. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit.
Helikopterët përdoren gjerësisht në rajonin e Himalajeve për transportimin e turistëve, alpinistëve dhe furnizimeve, si dhe për operacionet e kërkim-shpëtimit. Megjithatë, lartësia e madhe, terreni i vështirë dhe kushtet e paparashikueshme atmosferike e bëjnë këtë zonë veçanërisht të rrezikshme për fluturimet.








Komente
Komento