Ish-presidenti Ilir Meta, reagoi pas raportit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke vënë në dukje se kushtet e trajtimit të tij janë çnjerëzore dhe denoncoi mbajtjen në kafaz gjatë gjyqit, sikur të ishte terrorist.

Në rrjetet sociale Meta shkruan se rasti i tij sjell realitetin e mënyrës si trajtohen të paraburgosurit, përfshirë edhe gardianët që punojnë në kushte skandaloze.

Ish-presidenti sjell në vëmendje se paraburgimi nuk mund të përdoret si instrument persekutimi njerëzor dhe politik, si dhe paracaktimi fajësie, duke mohuar parimin e prezumimit të pafajësisë.

Duke iu referuar kërkesës për seanca publike, Meta thotë se garantimi i transparencës para publikut nuk është privilegj, por detyrim ligjor dhe standard minimal i një shteti demokratik.

Në fund, ai u bën thirrje institucioneve të marrin masa për zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit për çdo person të privuar nga liria.

“Falenderoj Komitetin Shqiptar të Helsinkit për raportin profesional dhe të paanshëm, që konstaton shkeljet flagrante të të drejtave të mia themelore njerëzore dhe politike në paraburgim, i shndërruar nga Edi Rama në instrument ndëshkimi dhe persekutimi njerëzor dhe politik ndaj meje.

Këto konstatime të vërteta të KShH nuk flasin vetëm për standardet çnjerëzore të trajtimit tim në paraburgim, identike me standardet e rrëmbimit, hetimit dhe gjykimit tim si terrorist në kafazin “me 5 yje”, por për një realitet tronditës që prek të gjithë të paraburgosurit në vend, përfshi edhe gardianët që punojnë në kushte skandaloze.

Paraburgimi vlen vetëm në funksion të hetimit në raste ekstreme, kur është i domosdoshëm dhe për një kohë të kufizuar, por kurrë nuk mund të përdoret si instrument persekutimi njerëzor dhe politik, si dhe paracaktimi fajësie duke dhunuar procesin e rregullt ligjor dhe gjyqësor, parimin e prezumimit të pafajësisë dhe barazinë e palëve në proces.

Respektimi i Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, i të drejtave themelore dhe dinjitetit njerëzor, i prezumimit të pafajësisë, i barazisë para ligjit dhe të palëve në proces, si dhe garantimi i transparencës para publikut nuk janë privilegje, por detyrime ligjore dhe standarde minimale të një shteti të së drejtës dhe demokratik.

Është e domosdoshme që institucionet përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për zbatimin e rekomandimeve përgjithësuese të Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit për çdo person të privuar nga liria”, shkruan Meta.

P.J/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Alb: 01/05/2026 14:04

    Po te drejtat e popullit si kan vujte perj ketyre politikash tash 35 vita

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 1 Maj, 08:14

    1 Maji, sa respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?