Pak më shumë se një vit më pare, kompania Albpetrol është ndarë në dy pjesë. Vetë Albpetroli do të merret vetëm me naftën, ndërkohë që Albgaz me gazin. Të dyja do të vijojnë të jenë subjekte me pronësi 100% të shtetit. Nevoja për të krijuar një ndërmarrje vetëm për gazin lindi si pasojë e faktit që Shqipëria po përgatitet të hyjë në rrjetet ndërkombëtare të gazit natyror nëpërmjet gazsjellësit Trans Adriatic TAP, ndërkohë që janë marrë masa edhe për të projektuar një rrjet të brendshëm, i cili do të transmetonte gazin nga kjo linjë në zona të ndryshme të vendit.
Por, pa filluar mirë nga puna, Albgaz kërkon rritje të konsiderueshme të çmimit për shërbimet e saj për të tretët. Faktikisht, në kërkesën e mbërritur pranë ERE-s, ajo kërkon një çmim 60% më të lartë nga shifra e vendosur në pjesën e fundit të vitit të kaluar. Këtë e justifikon me një rrjet aktual që është totalisht i amortizuar, i cili përdoret në pak zona të vendit si në Kuçovë, Ballsh, Fier apo Patos, por të gjitha llogaritjet e bëra për të arritur tek kjo kërkesë rezultojnë shumë larg standardeve që janë vendosur me ligj.
Kompania duket se ka paraqitur një kërkesë nisur nga vlerësime “aforfe’”. Kështu, psh, ERE ka konstatuar se shoqëria nuk e ka shoqëruar kërkesën për rritje çmimi me Planin e Investimeve për vitin 2018, që do të justifikonte çdo ndryshim, aq më tepër një ndryshim kaq të madh të kërkuar. Po kështu, mungon një llogaritje e amortizimit të linjave dhe pajisjeve aktuale dhe analizat e llogaritjes së amortizimit të parashikuar për vitin 2018.
Nga ana tjetër, nuk argumentohet kërkesa për kthimin mbi kapitalin në shumën prej 55.14 milionë lekësh. Shoqëria nuk ka propozuar një normë të kthimit mbi kapitalin, por ka paraqitur një vlerë fikse të këtij elementi të të ardhurave të kërkuara.
Gjithashtu, mungon një vlerësim mbi konkurrueshmërinë e çmimeve të gazit për klientët fundorë, që të pasqyrojë tarifat e rrjetit në vendet fqinje dhe çmimet e klientëve fundorë të cilët furnizohen me gaz natyror në Shqipëri.
Në aspektin financiar, kompania ka deklaruar se nuk ka histori të shpenzimeve dhe të dhënat janë të limituara. Por, sipas ERE-s, do të duhej që shifrat e propozuara prej saj të mbështeteshin me argumenta përkatëse për parashikimin e elemeteve të tillë si: humbjet në rrjetin e transmetimit, shpenzimet materiale, energji elektrike e karburant, etj, çka Albgaz nuk e ka bërë.
ERE e ka shtyrë për një mbledhje tjetër vendimin për ndryshim apo jo të tarifave të transmetimit të gazit natyror. Por paraqitja e kërkesës nga Albgaz në një formë dhe përmbajtje të tillë ve në diskutim seriozitetin e drejtuesve dhe punonjësve të saj.
Sjellja e gazit natyror në Shqipëri është një risi e mirëpritur për ekonominë e vendit. Por nuk mund të lihet ky proces, që në hapat e para, në një mungesë totale serioziteti, siç po veprojnë drejtuesit e saj aktualë. 


d.c./shqiptarja.com










