Jetmir Pepa, sipas SPAK, rezulton si drejtues i grupit kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës që u godit sot. I vëllai, Lulzim Pepa, ra në pranga gjatë operacionit të Prokurorisë së Posaçme, ndërsa Jetmiri njihej më publikisht për bizneset dhe jetën mes lajmeve rozë.

Ndonëse mund të jetë më shumë, “Pepa Group” SHPK e familjes Pepa, e cila u sekuestrua sot nga SPAK, rezulton zyrtarisht si një shoqëri që ka arritur të regjistrojë një xhiro vjetore deri në 1.5 miliardë lekë në vitin 2023, por operon në tregun vendas prej vitit 2014. Administratore e shoqërisë është Violeta Pepaj. Ortakët e shoqërisë janë Leorik Pepa 25%, Urjola Pepa 25%, Brian Pepa 25% dhe Brixhilda Pepa 25%.

Që nga themelimi i saj, ajo është përfituese e të paktën 52 tenderave publikë në sektorë të ndryshëm. Vlera e tenderëve të fituar në bashkëpunim me shoqëri të tjera arrin në afro 63 milionë euro. Miliona euro të tjera janë "përlarë" nga Pepa Group në tendera të fituar vetëm.

Parapaskena shkruan se zyrtarët që kanë firmosur tendera për kompaninë e trafikantit të drogës Mir Pepa janë Albert Halilaj, Emiriana Sako, Fran Tuci, Arlinda Pogaj, Ervin Sadiku, Gentian Gjyli, Evis Berberi, Fatjon Dhuli, Dritan Agolli etj. Nisur nga transaksionet, shumat kryesore të parave publike bosi i kokainës Mir Pepa i ka marrë nga Bashkia e Tiranës.


Lajmi kryesor:

Trafikuan 7.5 tonë kokainë drejt Europës, SPAK godet grupin e Jetmir Pepës! Lëshohen 11 urdhër-arreste, vetëm 3 në pranga! Sekuestrohen 232 pasuri me vlerë 12 mln €