Të gjithë fermerët e regjistruar në tatime dhe që i shesin produktet e tyre tek grumbulluesit, përpunuesit apo agroturizmat e certifikuar që janë të regjistruar për pagimin e TVSH-së, do të marrin kompensim për faturat e tyre për herë të parë këtë vit.
Administrata tatimore ka sqaruar sesi do të funksionojë skema e re. Konkretisht blerësi do t’i lëshojë faturën tatimore fermerit për mallrat ose shërbimet e blera, dhe nga vlera e shkruar në faturë do t’i kompensohet 10% fermerit. Pra nëse fermeri shet produkte me vlerë 100 mijë lekë, do të marrë si kompensim nga shteti 10% e faturës ose 10 mijë lekë. Gjithashtu fatura që lëshon grumbulluesi/përpunuesi duhet të ketë edhe NIPT-in e fermerit prodhues.
“Fermeri duhet të dorëzojë në Administratën Tatimore kërkesën për kompensim (elektronikisht ose nëpërmjet shërbimit postar), duke bashkëlidhur: Kopje të faturave të lëshuara nga blerësi i mallrave dhe shërbimeve bujqësore; Numrin e llogarisë së tij bankare”, sqarohet në njoftimin e drejtorisë së tatimeve.
Fermerët duhet t’i dorëzojnë faturat një herë në gjashtë muaj. Kompensimin për janar-qershor 2026, ata do e marrin brenda 31 dhjetorit të këtij viti, ndërsa për faturat e gjashtëmujorin e dytë të vitit, do e marrin deri në qershor të 2027-ës.
Kompensimi nga Administrata Tatimore kryhet brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës nga fermeri. Kërkesa mund të refuzohet në rast se, nuk është dorëzuar brenda afatit apo kur nuk plotësohen kushtet.
Janë gati 100 mijë fermerë me NIPT në të gjithë vendin, por kompensimin do ta marrin vetëm ata që janë me NIPT në tatime, ndërsa të tjerët që e kanë në QKB nuk përfitojnë pasi futen tek kategoria e tregtarëve.
Gjithashtu Ministria e Bujqësisë po punon edhe për rishikimin e skemës Kombëtare të Mbështetjes për ta përshtatur me nevojat e fermerëve, ku pritet të preket edhe formula sesi bëhet mbështetja përmes naftës.
Për të mbështetur fermerët si në prodhimet bujqësore ashtu edhe në shtimin e fermave apo prodhimeve blegtorale, në buxhet për këtë vit janë parashikuar për skemën kombëtare 5.2 miliardë lekë, ose 52 milionë euro.
Komente








