Drejtori i Tatimeve Ilir Binaj ka reaguar pas akuzave që deputetja e PS, Elisa Spiropali adresoi ndaj tij një ditë më parë, duke deklaruar se ai në bashkëpunim me Belinda Ballukun e kishin kërcënuar dhe i kishin bërë presione.

“Të pandehur, me dosje, me problematika të rënda me drejtësinë, mund ende të përdorin institucionet e shtetit shqiptar për t'i bërë presion deri edhe ish-kryetares së Kuvendit, deputetes së Partisë Socialiste. Atëherë, çfarë ndodh me individët që protestojnë në rrugët e Shqipërisë? Kush u shkon atyre në derë? Kush u shkon? Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, i cili është i emëruari personal i Belinda Ballukut, ministri që është i emëruar prej saj, apo qeveria e cila është brenda kësaj gjykatëse", deklaroi dje Spiropali në një intervistë. 

Binaj në një reagim në rrjete, shkruan se me Ballukun nuk ka zhvilluar kurrë asnjë takim, por sipas tij ka qenë Spiropali dhe bashkëshorti i saj kanë ushtruar presion ndaj Tatimeve dhe inspektorëve pasi në kontrollet që janë ushtruar në bizneset e saj janë “evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor të përmasave të mëdha.”

Deklaratë publike e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj

Unë jam një qytetar shqiptar që i jam përgjigjur thirrjes për t’i shërbyer vendit pas vitesh në SHBA, ku kam punuar në fushën e auditimit financiar. Nga data 23 shtator 2024, kur kam marrë telefonatën e ministrit të Financave, e deri më sot, nuk e kam takuar kurrë personalisht zonjën Belinda Balluku, përveç takimeve publike për shkak të detyrës.

Sot kam vendosur të bëj këtë deklarim publik, pas një sulmi mediatik që më ka ardhur, jo për herë të parë, nga deputetja Elisa Spiropali.

Ajo që zonja deputete nuk tha, është se Administrata Tatimore e Republikës së Shqipërisë është vendosur nën një presion të paligjshëm nga deputetja në fjalë dhe bashkëshorti i saj, për llogari të bizneseve familjare.

Administrata Tatimore, në funksion të mbledhjes së të ardhurave dhe luftës ndaj evazionit, ka ushtruar kontrolle në sektorin e ndërtimit, në përputhje me planet e saj strategjike dhe operacionale. Kontrollet e ushtruara, bazuar në analizën e riskut apo denoncimet e qytetarëve, kanë përfshirë edhe subjekte që lidhen me znj. Spiropali.

Rezultatet qartazi nuk janë pëlqyer nga zonja dhe bashkëshorti i saj dhe, si pasojë, janë kërcënuar inspektorët tatimorë, madje edhe familjet e tyre. Për këtë ka fakte të verifikueshme dhe denoncime në organet ligjzbatuese. Procedura është e gjitha e dokumentuar dhe gjetjet e inspektimit janë tejet shqetësuese.

Kontrollet e ushtruara kanë evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor të përmasave të mëdha. Për këtë arsye dhe pa asnjë lloj përjashtimi diskriminues, por sipas procedurave tatimore të ndjekura me të gjithë tatimpaguesit e dyshuar për evazion, dosjet po u referohen organeve ligjzbatuese për veprime të mëtejshme.

I kërkoj znj. Spiropali të mos e përmendë më emrin tim, sepse unë jam një nëpunës i ndershëm i shtetit që nuk merret me politikë dhe nuk lejoj askënd të cenojë dinjitetin tim dhe të familjes sime për shkak të detyrës.

Znj. Spiropali, si ish-drejtoreshë e Doganave, duhet ta kishte të qartë se presioni dhe intimidimi i administratës publike përbëjnë shkelje të rënda etike dhe ligjore.

Lajmi në përditësim...