TIRANE- Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot vendimin e qeverisë për unifikimin e kompetencave të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Sipas Kushtetueses, vendimi i qeverisë që i jep të drejtë Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, të ndërhyjë në prishjen e ndërtimeve me dhe pa leje në të gjithë territorin është antikushtetues.

Vendimi i qeverisë për INUK ishte ankimuar nga Partia Demokratike, pra nga 1/5 e deputetëve. Në një seancë të posacme përfaqësuesit demokratë argumentuan pse vendimi shkel Kushtetutën. Demokratët kërkuan më herët nga Gjykata Kushtetuese shpalljen si antikushtetues të vendimit të qeverisë. Me vendimin e 30 shtatorit 2013, qeveria i dha të drejtë Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar që të ndërhyjë edhe në rastin e ndërtimeve me leje, por që nuk respektuar kriteret urbanistike.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese, thuhet se “në përfundim të shqyrtimit të çështjes me kërkues një e Pesta e Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë; ku subjekte të interesuara janë Këshilli i Ministrave, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit; dhe me objekt: “Shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr.932, datë 30.09.2013 “Për unifikimin e kompetencave të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) në zonat me rëndësi kombëtare dhe në territor”. Pezullimi i vendimit nr.932, datë 30.09.2013 “Për unifikimin e kompetencave të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) në zonat me rëndësi kombëtare dhe në territor””, Gjykata Kushtetuese “Pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura nga kërkuesi si dhe prapësimet e ngritura prej subjekteve të interesuara, me vendimin e datës 05.03.2014; vendosi pranimin e kërkesës; si dhe shfuqizimin si antikushtetues të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.932, datë 30.09.2013 “Për unifikimin e kompetencave të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) në zonat me rëndësi kombëtare dhe në territor””.
 
Partia Demokratike kishte bërë ankimim në Gjykatën Kushtetuese për kompetencat e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, ku kërkonte shpalljen e këtij vendimi si të papajtueshëm me Kushtetutën.
 
Sipas PD, ky vendim cënon të paktën 5 parime kushtetuese, që nuk njohin të drejtën e pronës dhe i japin Qeverisë kompetenca të pushtetit lokal dhe atij gjyqësor, dhe për këtë kërkuan pezull të vendimin, dhe shfuqizim të plotë të tij, duke pretenduar se është antikushtetues.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)