Kompetencat e NATO-s në Kosovë

Kompetencat e NATO-s në Kosovë

Një pjesëtar amerikan i KFOR-it në Leposaviq më 31 maj 2023

Dikur rreth 50.000, sot afër 4.000 paqeruajtës të misionit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), KFOR, vazhdojnë misionin e tyre në Kosovë.

Trupat e KFOR-it, që janë nga 27 shtete të botës, kanë për mandat që të ofrojnë mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Mandati i tyre buron nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar më 10 qershor 1999, një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes Teknike të Kumanovës.

Kjo marrëveshje parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare. Ajo u nënshkrua midis KFOR-it dhe autoriteteve të ish-Jugosllavisë, duke i dhënë fund bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe.

Numri i ushtarëve të KFOR-it në Kosovë ndër vite është zvogëluar, pas përmirësimit të situatës në veri. Por, pas rritjes në veri të Kosovës në fund të majit, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka njoftuar për rritjen e numrit të trupave, duke shtuar se numri i tyre mund të rritet edhe më shumë, për të qetësuar dhunën në veri.

Çfarë thotë rezoluta 1244 për misionin e KFOR-it?

Në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së thuhet se prania ndërkombëtare e sigurisë, e cila do të ketë pjesëmarrje të konsiderueshme të forcave të NATO-s, “duhet të vendoset nën një komandë dhe kontroll unik dhe të autorizohet për ta krijuar një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë si dhe ta lehtësojë kthimin e sigurt të te gjithë refugjatëve dhe të personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre”.

Në rezolutë po ashtu thuhet se trupat ndërkombëtare kanë për mandat që të sigurojnë “tërheqjen [e trupave jugosllave] dhe parandalimin e kthimit të ushtrisë jugosllave në Kosovë, të policisë dhe forcave paramilitare”.

Po ashtu, aty thuhet se paqeruajtësit duhet të “çmilitarizojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe grupet e tjera të armatosura të shqiptarëve të Kosovës”.

Synimet e mandatit të parë të KFOR-it

Të dekurajojë urrejtjen dhe kërcënimet e forcave jugosllave dhe serbe ndaj Kosovës

Të sigurojë një mjedis të sigurt, rregull dhe siguri publike

Të çmilitarizojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës

Të ndihmojë në përpjekjet humanitare ndërkombëtare si dhe të bashkëpunojë me pranin civile ndërkombëtare

Detyrat fillestare të KFOR-it

Fillimisht, KFOR-i kishte detyra – disa prej të cilave vazhdon t’i ketë – që përfshinin: ndihmën në kthimin dhe vendosjen e refugjatëve dhe personave të zhvendosur; çmimin dhe rindërtimin; ndihmën mjekësore; sigurinë dhe rendin publik; mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë; sigurinë kufitare; ndalimin e trafikimit ndërkufitar të armëve; zbatimin e programit të gjerë të Kosovës për amnistinë për armët, municionin dhe eksplozivët; rendin dhe ligjin; sistemin gjyqësor dhe penal; proceset zgjedhore dhe aspektet e tjera politike; jetën ekonomike dhe sociale në Kosovë.

“Vëmendje e posaçme vazhdon t’i kushtohet mbrojtjes së minoriteteve. Këtu përfshihen patrullimet e rregullta afër enklavave të minoriteteve, pikat e kontrollit, përcjellja që u ofrohet grupeve të minoriteteve, mbrojtja e objekteve të trashëgimisë, sikurse manastiret, si dhe donacionet, që përfshijnë ushqim, veshmbathje dhe pajisje shkollore”, thuhet në ueb-faqen e KFOR-it.

Detyrat shtesë

Përveç detyrave fillestare, më 2008, NATO u pajtua që misioni i saj në Kosovë të kishte disa detyra shtesë, në koordinim me institucionet e rëndësishme në Kosovë.

Ndër detyrat e reja që iu dhanë misionit ishte edhe të asistonte në krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe trajnimin e pjesëtarëve të kësaj force.

“FSK është një forcë vullnetare e armatosur lehtë. Përgjegjësia e parë e saj për detyrat e sigurisë, që nuk janë të përshtatshme për policinë, sikurse përgjigja ndaj emergjencave, shpërthimi i kontrolluar i eksplozivëve, menaxhimi i materialeve të rrezikshme, fikja e zjarrit dhe mbrojtja civile”, thuhet në përshkrimin që i bën KFOR-i FSK-së.

Ibishi: Detyra e KFOR-it, mbrojtja nga agresioni i mundshëm

Njohësi i fushës së sigurisë në Kosovë, njëherësh ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, Nuredin Ibishi, tha Policia e Kosovës mban përgjegjësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në territorin e Kosovës.

Por, në rastet kur vlerësohet se rrezikohet ambienti i sigurisë, sipas Rezolutës 1244 dhe Kushtetutës se Republikës së Kosovës, këtë mandat e ka KFOR-i.

“Por, për çështjet e mbrojtjes nga një agresion i mundshëm, e ka rolin KFOR-i. Forca e Sigurisë së Kosovës, si forcë e armatosur, është në fazën e tranzicionit, gjegjësisht të formësimit të saj dhe nuk e ka këtë mandat. Pra, KFOR-i ka një mandat superior krahasuar me institucionet vendore tjera të sigurisë”, tha ai.

KFOR-i është reaguesi i tretë për çështjet e sigurisë, pasi në rend të parë është Policia e Kosovës, pasur nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX).

Përveç këtyre detyrave, KFOR-i zhvillon edhe iniciativa për ngritjen e kapaciteteve me organizatat e sigurisë në Kosovë, siç është transferimi gradual i sigurisë për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore te Policia e Kosovës.

Në Kushtetutën e Kosovës thuhet se pavarësisht dispozitave tjera të aktit më të lartë juridik të shtetit, prania ndërkombëtare ushtarake ka mandatin dhe kompetencat e përcaktuara nga instrumentet relevante ndërkombëtare, “përfshirë rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës, të 26 marsit të vitit 2007”.REL

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Sulm me thikë në zemër të Londrës, por të gjithë presin hetimet

Sulm me thikë në zemër të Londrës, por të gjithë presin hetimet