Kështu ka nisur shpjegimin e saj Kryetarja e Kuvendit, edhe sot në detyrë, Jozefina Topalli në lidhje me lajmin e publikuar në media për vendosjen e 140 kompjuterave të rinj në Parlament.
Sipas njoftimit zyrtar, kompjuterët që po instalohen në sallën e Seancave Plenare janë prokuruar (blerë) që në vitin 2012 duke iu nënshtruar plotësisht procedurave të prokurimit publik me tender të hapur, me një konkurrencë maksimale dhe garë të ndershme mes kompanive (siç del qartë edhe nga njoftimi zyrtar në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik të datës 26 nëntor 2012 i njoftimit të kontratës së nënshkruar me kompaninë fituese, bashkëlidhur dokumentet e skanuara).
"Ato janë pjesë e projektit E-parlament, i cili tashmë është në fazën e tij të implementimit përfundimtar. Projekti E-parlament është një ndër arritjet më të mëdha në fushën e dixhitalizimit të Kuvendit të Shqipërisë", thekson Topalli.
Më tej në njoftim shpjegohet se projekti, i cili është realizuar në disa faza, në bashkëpunim dhe me kontributin e OSBE-së dhe IPA-s (projekt i financuar nga Bashkimi Europian) dhe kompanisë Microsoft, dixhitalizon të gjithë procesin ligjbërës që nga momenti që projektligji vjen në Kuvend e deri në miratimin dhe dërgimin për publikim në Fletoren Zyrtare.
"E-parlament do të bëjë të mundur rritjen e efektivitetit të punës së Kuvendit të Shqipërisë dhe në mënyrë të veçantë të deputetëve, pasi tashmë çdo deputet do të ketë të dixhitalizuar (në format elektronik) çdo dokument parlamentar që lidhet me procesin ligjbërës, që nga projektligji, relacioni përkatës i Këshillit të Ministrave, raportet e komisioneve përkatëse që e shqyrtojnë atë projektligj, amendimet, votimet deri në momentin që ligji votohet në seancë plenare".
Nga ana tjetër, falë këtij projekti bëhet i mundur krijimi i një data-base të plotë të të gjitha ligjeve që Kuvendi miraton. Projekti e-parlament është një hap shumë i rëndësishëm në rritjen e mëtejshme të transparencës së Parlamentit kundrejt zgjedhësve.
"Administrata e Kuvendit të Shqipërisë po punon me përkushtim për fillimin e legjislaturës së re të Kuvendit dhe në këtë kuadër të gjitha këto investime në fushën e teknologjisë së informacionit do të bëjnë të mundur që Kuvendi i Shqipërisë të jetë një institucion më efektiv, më transparent, më i përfaqësuar, më i besueshëm", përfundon njoftimi.
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)